Hetimet e nisura disa muaj më parë për ministrin e Financave Bedri Hamza në aferën e njohur si afera e Hidrocentraleve janë mbyllur për ministrin Bedri Hamza.
Lajmi është konfirmuar nga prokurori special Sylë Hoxha. “Është e vërtetë që në mungesë provash hetimet për Bedri Hamzën janë mbyllur” ka thënë Hoxha. Ai nuk ka dhënë detaje për ministrat e tjerë të përfshirë pasi sipas Hoxhës prokurori i rastit gjendet në pushim dhe nuk mund të marrë informacione më të detajuara.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj disa zyrtarëve qeveritarë të Kosovës.
Në Komisionin Qeveritar për Privatizimin të KEDS-it kanë marrë pjesë: Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Bedri Hamza, Ministër i financave, Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në maj 2018-të ka nxjerrë vendim për fillimin e hetimeve për privatizimin e katër hidrocentraleve në mënyrë tinëzare bashkë me rrjetin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike. Burimet e kallxo.com brenda Prokurorisë së Shtetit kanë konfirmuar se para pak çastesh, Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën e Prishtinës vendimin për nisjen e hetimeve ndaj tetë personave të përfshirë në shitjen e Distribucionit të KEK-ut.
Burimet kanë sqaruar se në aktvendimin për hetime janë gjashtë zyrtarë të lartë të qeverisë, duke përfshirë 5 ish-ministra, tre prej këtyre ministrave janë anëtarë momentalë të qeverisë. Hetimet kanë nisur edhe ndaj një zyrtari të KEK-ut dhe një zyrtari të qeverisë të përfshirë në implementimin e kontratës.
Vendimi për fillim të hetimeve është marrë pas një periudhe prej gati 2 vjetëve të fazës së parahetimeve që kanë nisur pas raportimeve në media. Vendimi për fillim të hetimeve është marrë vetëm disa ditë para se të ndodhte parashkrimi pasiv i veprës së mundshme penale. Privatizimi i KEDS-it kishte ndodhur me datën 8 maj.