Ditëve të fundit ka rënë numri i personave që kanë hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare Kulla e Pejës, por sfidë për institucionet shëndetësore dhe ato të sigurisë është se një pjesë e tyre nuk po i përmbahen zotimit për masën e vetizolimit.
Në këtë pikë kufitare kujdestarinë mjekësore këtë javë janë duke e mbajtur ekipet e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të Pejës, dhe sipas Petrit Locit, drejtor i Shëndetësisë dhe udhëheqës i planit emergjent në Komunën e Pejës, në këtë pikë kufitare po hynë gjatë ditës vetëm 10 deri në 15 persona, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për dallim gjatë tërë javës së kaluar në këtë pikë kanë hyrë 450 persona, kurse prej ditës së 24 shkurtit, kur është filluar me kujdestari dhe me kontroll të personave që hynë në Kosovë përmes kësaj pike kufitare, e deri më 17 mars, kanë hyrë gjithsej 674 persona, kryesisht mërgimtarë dhe shtetas kosovarë që kanë qëndruar si turistë apo punëtorë sezonalë në vendet e ndryshme të Evropës dhe vendet e rajonit.
Në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik në Pejë, Komuna e Pejës, Istogut, Klinës dhe Deçanit, kanë krijuar ekipet emergjente mjekësore të QKMF-ve, për kujdestari 24 orë me autoambulanca në pikën kufitare me Malin e Zi, në Kullë të Pejës. Gjatë ditës së mërkurë në Kullë ka kujdestaruar ekipi mjekësor i QKMF-së së Pejës, në drejtim të mjekut Rinor Krasniqi. Ai tregon se aktualisht situata është e qetë dhe numri i personave që po hynë nuk është i madh.