Prokuroria ngre aktakuzë kundër tetë personave për pjesëmarrje në një rrahje në Graçanicë

Prishtinë | 30 Dhj 2022 | 10:04 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër tetë personave, të përfshirë në një rrahje në Graçanicë, në shkurt të këtij viti.

Ndaj C.Z., L.K., B.Z., D.N.,M.J., D.R. dhe N.R, aktakuza është ngritur për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, derisa për të pandehurin M.R, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

“Sipas aktakuzës, më 22.02.2021, rreth orës 11:00, në fshatin Llapnasellë në Graçanicë, përkatësisht në afërsi të shkollës fillore “Miladin Mitic”, i pandehuri N.R., së bashku me të pandehurit e lartcekur (shokët e tij), pas disa provokimeve me fjalë të cilat i pranon nga një i mitur, për shkak të një mosmarrëveshjeje paraprake, i mituri fillimisht e shtynë të pandehurin N.R., ndërkaq ky i fundit e godet me grusht në fytyrë dhe në këtë mënyrë fillon rrahja në mes të dy grupeve të të pandehurve, ku si rezultat i rrahjes, i pandehuri N.R., pëson lëndime të rënda trupore, ku me këtë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 187 të KPRK-së.

Po ashtu, në datën, kohën dhe vendin e njëjtë, me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore gjatë rrahjes, me mjet të fortë dhe të përshtatshëm, i pandehuri M.R., e godet në fytyrë N.R., i cili si rezultat i goditjes ka pësuar lëndime të rënda trupore-me dëmtim të përhershëm të shëndetit, andaj, Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallet fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme