Me aktvendim për pushim të hetimeve, Prokuroria Themelore e Prishtinës u ka dhënë fund hetimeve ndaj zyrtarëve të ATK-së, Nikson Mirdita dhe Fehmi Veselaj, të cilët dyshoheshin se ua kishin falur borxhin 46 subjekteve afariste në vlerë prej mbi 22 milionë euro.
Prokuroria e Prishtinës u ka dhënë fund hetimeve të nisura me kallëzimin penal të Policisë të datës 30 prill 2015 ndaj të dyshuarve Nikson Mirdita dhe Fehmi Veselaj.
Mirdita e Veselaj akuzoheshin se si zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës ua kanë falur borxhin 46 subjekteve afariste në vlerë të përgjithshme prej 22 milionë e 664 mijë e 118 euro.
Pas hetimeve lidhur me këtë rast Prokuroria ka konstatuar se bazuar në ligjin për ATK-në, borxhet tatimore mund të transferohen si borxhe në një dosje pasive sa për t’i larguar nga baza e të dhënave aktive të mbledhjes.
Po ashtu, Prokuroria erdhi në përfundim se nuk është vërtetuar se në veprimet e të dyshuarve janë paraqitur elementet të cilat e përbëjnë figurën e veprës penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare, ngase nuk është vërtetuar qëllimi i shkaktimit të dëmit apo qëllimi i përfitimit për vete apo për tjetrin.