Në UBT është promovuar libri “Gazetaria Online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, i profesorit Musa Sabedini, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë e studiuesve të medias, raporton Ekonomia Online.
Libri trajton sfidat e gazetarisë online dhe pjesën e vetërregullimit, ndërsa nga folësit u kërkua që pushteti të qëndrojë sa më larg medieve.
Rektori i Kolegjit UBT, Edmond Hajrizi, tha se autori i librit ka bërë punë të nevojshme, duke trajtuar një tematikë me rëndësi aktuale gjatë periudhës së digjitalizimit.
“Marrë parasysh fjalën online dhe epokën e digjitalizimit mendoj se është me rëndësi kjo tematikë. Tek pjesa online nuk kemi pasur diçka të tillë edhe pse ndoshta në Kosovë kemi mbi 300 portale online aktive. Musa e ka bërë një veprim të duhur”, u shpreh ai.
Ai tha se me faktin qe vetë profesori Sabedini është bartës i një portali online, i përjeton vetë çdo ditë vështirësitë etike, në të dyja aspektet, profesionale dhe etike.
Fjalë të mira pati edhe Dekani i fakultetit për media dhe komunikim brenda UBT-së, Ferit Selimi, i cili përgëzoi autorin për guximin e marrjes me hulumtime të tilla.
“Unë e përgëzoj për guximin qe ka për aktivitete të tilla, pasi të merresh me hulumtime të tilla nuk është edhe e lehtë. Për nga volumi shihet se ka material të bollshëm e që profesori ka arritur t’i realizojë në mënyrë studimore”, u shpreh ai.
Ndërkaq recensenti i librit, Safet Zenjullahu, tha se libri është një bazë e mirë për studime nga përmbajtja dhe hulumtimet e nxjerra do të shërbejnë për të ardhmen.
Ai tha se Sabedini në faqen 208 ka përmendur median e parë online (Qendra Informative e Kosovës – QUK) derisa aktualisht janë mbi 600.
“Profesori Musë ka çka thotë, është libri i parë akademik për media online dhe profesori duhet të jetë krenar”, u shpreh ai.
E autori i këtij libri, Musa Sabedini, dha disa detaje mbi librin.
“Me u marr me portale është si me qenë avokat mbrojtës, mirëpo asnjëherë nuk bëhem pjesë e atyre që japin lajme të gabuara. Unë i bëra disa vite në gazetari, jetoj 24 orë me botën e medias online, ua di të mirat dhe defektet andaj kam pasur dëshirë të bëj diçka për të”, deklaroi ai.
“Kam folur shumë për pjesën e vetërregullimit. Pushteti duhet me qenë sa më larg medias online, është Këshilli i Mediave të Shkruara që e bën mbikëqyrjen. Janë diku 500 portale zyrtarisht, 33 janë mbyllë, 57 janë pjesë e KMSHK-së, pra respektojnë etikën mediale”.
Në libër trajtohen edhe sfidat nga inteligjenca artificiale dhe ndikimet që kjo do të mund të ketë në gazetarinë online.