Komiteti Paralimpik i Kosovës ka promovuar librin për personat me aftësi të kufizuara të titulluar “Sportet për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë”, të autorëve Ahmet Mahmutaj dhe Enver Ulaj, raporton Ekonomia Online.
Ish-kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës dhe recezent i librit, Besim Hasani, ka thënë se është i bindur që ky libër do të jetë frymëzim për autoret e ardhshëm që do të shkruajnë për personat me aftësi të kufizuar dhe sportin.
“Jam shumë i bindur që sikur se personat me aftësi të kufizuar sikur se janë frymëzim për krejt njerëzimin edhe ky libër do të jetë frymëzim për autoret e ardhshëm që do të shkruajnë për personat me aftësi të kufizuar dhe këtë pjesën e bukur anën sportive. Një përshkim i jashtëzakonshëm një historik që do të ju shërbej edhe studenteve dhe gjithë atyre që do të ju interesoj kjo pjesë”, ka thënë Hasani.
Kryetarja e Komiteti Paralimpik të Kosovës, Njomëza Emini, ka thënë se në këtë libër përshkruhet historia 70 vjeçare e sekseve dhe të arriturave të këtij sporti.
Ajo shtoi se këto libra do të shpërndahen nëpër institucione dhe shkolla.
“Në këtë libër një histori mbi 70 vjeçare përshkruhen suksese dhe arritje më shumë përpjekje dhe fare pak mbështetje, por që kanë lënë gjurmë dhe trashëgiminë tonë. Në këtë monografi shohim filet e aktiviteteve sportive që pas luftës së dytë botërore, vazhdohet me periudhat e ndryshme historike që ka lënë Kosova dhe vazhdon me pas luftën e fundit edhe deri me sot. Sot Lëvizja Paralimpike e Kosovës është e strukturuar sipas kritereve ndërkombëtare. Ka mbi 50 klube, mbi 10 federata, mbi 750 drejtuese, staf, asistent, trajner dhe referë dhe mbi 1000 persona me aftësi të kufizuar”, ka thënë ajo.
Drejtori i Sportit në komunën e Prishtinës, Bardh Krasniqi, premtoi përkrahje për këta persona.
“Shumë vonë kemi filluar që të njoftohemi me këtë. Në si komuna gjithsesi do të vazhdojmë që t’ju përkrahim në të gjitha format dhe mundësitë që i kemi. Ky është një sukses i madh sepse po e ngritim flamurin për herë të parë në Paris”, u shpreh ai.
Autori Enver Ulaj, duke folur për qëllimin që ka ky libër, ka thënë se në shkrimi e kësaj monografie kanë hasur në vështirësi në gjetjen e informacioneve në arkiva të ndryshme të institucioneve në Kosovë.
“Hartimi i një monografie është e vështirë dhe jo falënderuese, është e vështirë sepse gjendja e dokumentacionit për dekada të tërë, është e vështirë dhe më këtë jemi përballur që në ditën e parë. Informata ose janë të selektuara, ose të shpërndara. Është jo falënderuese sepse gjithmonë diçka mbet e pa mbuluar. Kriteri jonë ka qenë që të identifikojmë fillimisht nismëtarët, bartësit deri të themelimi. Aktiviteti ka vazhduar edhe nëpër dekada”, ka thënë ai.
Edhe autori Ahmet Mahmutaj, falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan në mbledhjen e informacioneve për të shkruar këtë libër.
“Natyrisht besoj që sa do pak do të jetë një llloj plotësimi i këtyre mozaikëve të monografive në Kosovë për sporte. Dhe do të jetë një lloj falënderimi për gjithë ata që kanë kontribuar dhe një lloj reference në të ardhmen për çdo studiues, sportist e trajner”, ka thënë ai.