Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në promovimin e ekspozitës dhe pullës postare me portretin kushtuar 100-vjetorit të Konferencës së Parisit dhe angazhimit të ish-presidentit amerikan, Woodrow Wilson dhe Qeverisë amerikane për të mbrojtur të drejtat dhe integritetin territorial të Shqipërisë, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj tha se është nderim për Amerikën për kontributin që ka dhënë në ndërhyrjen për lirinë e Kosovës.
Ai tha se falënderimi më i madh duhet t’i bëhet nga Serbia pasi shtoi se NATO e shpëtoi atë nga një krim më i madh e që do bëhej njollë e zezë më e madhe.
“Jam vu në dijeni se një nderim do bëhet edhe për presidentin Wilson duke pasë parasysh rolin e tij të rëndësishëm në një periudhë të rëndësishme të kombit tonë. Një sjellje e tillë falënderuese e jona mbron nga ajo që përjetuam ne në fund të shek XX, kur Amerika ndërhyri dhe ndali tragjedinë që paralajmërohej tragjedia më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore. Aeroplanët e jetës i ndalën aeroplanët e vdekjes. Ky veprim i NATO-s i ka bë një nder popullit serb sepse i ka shpëtuar një krimi më i madh që do ishte njollë më e zezë se ajo që ka qenë. Falënderim më të madh Serbia duhet t’i bëjë Amerikës. Ndodhën dy të mira, u shpëtua populli i Kosovës, por u ndal edhe një e keqe”, tha Haradinaj.
Kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se kjo pullë postare do mbetet nga më të çmuarat.
“Titulli i kësaj pulle është 100-vjetori i mbrojtjeve të territoreve. Këtë vit shënojmë 100- vjetorin e miqësisë e mirënjohjes tonë, prandaj kjo pullë postare edhe mban figurën e Wilsonit. Ishte nga presidentët më të mëdhenj të SHBA-së. U angazhua në mbrojtjen e paqes në botë. Bashkë me pullat tjera që i kemi lëshuar pulla për Presidentin Wilson do mbetet nga pullat më të çmuara të Postës”, tha ai, raporton EO.
Femi Cakolli themelues i Institutit për Studime Shqiptare Protestane tha se presidenti Wilson ishte figura më e rëndësishme e konferencës së paqes.