Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka bërë thirrje që çdo protestë në mbrojtje të historisë së Kosovës dhe vlerave që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të zhvillohet në mënyrë paqësore, me dinjitet dhe pa përdorimin e maskave
Shala ka theksuar se në protesta nuk duhet të ketë maska, e veçanërisht maska me fytyrat e liderëve të UÇK-së, pasi sipas tij një veprim i tillë mund të krijojë perceptim negativ dhe të dëmtojë mesazhin e protestës.
“Një veprim i tillë krijon një perceptim negativ dhe mund të interpretohet sikur këta njerëz kanë vepruar të maskuar apo kanë kryer veprime të paligjshme të fshehura”, ka shkruar Shala.
Ai ka rikujtuar edhe paraqitjen publike të pjesëtarëve të UÇK-së më 28 nëntor 1997 në Llaushë, duke e marrë këtë si shembull për mënyrën se si, sipas tij, duhet të prezantohet sot mbrojtja e kësaj historie.
“UÇK-ja doli publikisht para popullit. Më 28 nëntor 1997, në Llaushë, pjesëtarë të saj u shfaqën publikisht dhe u identifikuan para qytetarëve. Prandaj, edhe sot, nëse duam ta mbrojmë atë histori, duhet ta bëjmë me fytyrë të hapur, me dinjitet dhe me përgjegjësi”, ka shkruar ai.
Shala ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun që persona të maskuar të mund të futen mes protestuesve dhe të provokojnë situata që mund të përshkallëzohen në përplasje me Policinë e Kosovës.
Sipas tij, një situatë e tillë do ta dëmtonte protestën dhe do të mund të komprometonte mesazhin e saj.
“Ne që e duam Kosovën nuk duhet të veprojmë kundër Policisë së Kosovës në asnjë rrethanë. Protesta paqësore është e drejtë qytetare, ndërsa dhuna dhe provokimet nuk i shërbejnë Kosovës”, ka deklaruar Shala.
Eksperti i sigurisë ka kërkuar që presioni për çështjet që lidhen me këtë temë të ushtrohet përmes institucioneve, përfaqësuesve politikë dhe debatit publik.
Ai ka bërë thirrje edhe që asnjë protestë të mos drejtohet kundër komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë.
“Çdo përplasje ndëretnike do të ishte në dëm të Kosovës dhe në favor të Serbisë kriminale”, ka shkruar Shala.
Në fund të postimit, Shala ka theksuar se historia e UÇK-së duhet të mbrohet përmes argumenteve, dinjitetit dhe protestës paqësore.
“UÇK-ja është pjesë e historisë sonë. Ta mbrojmë atë histori pa e dëmtuar Kosovën”, ka përfunduar ai.