Ish-luftëtarët e UÇPMB-së nga Zona e Karadakut kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar t’iu jepet statusi i veteranit, raporton Ekonomia Online.
Ata po thonë se janë 140 ish-luftëtarë që kanë dokumente me të cilat janë pajisur si pjesëtarë të UÇPMB-së në vitin 2000, pas përfundimit të luftës.
Feriz Deliu, i njohur asokohe si komandant Kabashi, tha se po kërkojnë që të jenë të barabartë si të gjithë veteranët e tjerë.
Sipas Deliut, kanë bërë kërkesë disa herë për status të veteranit, por u është thënë të paraqiten te përfaqësuesit e tyre.
“Këta janë të barabartë me mu, bile shumë kanë rreziku më shumë se unë. Unë e gëzoj të drejtën këta nuk e gëzojnë. Mua më vjen turp, po turp edhe për ata që na përfaqësojnë. Po kërkojmë të jenë të barabartë me neve, as ma shumë as ma pak. Një pjesë e madhe edhe kanë vdekë pa e gëzuar këtë të drejtë, pa u gëzuar fëmija e tij që e ka pasë babën në luftë. Ne kemi ardhur disa herë por kërkush s’na ka pranuar; jo shkoni në Zonën e Karadakut , shkoni te përfaqësuesit e juaj. Ata thonë ne s’kemi kompetenca, ne s’merremi me to, na e kemi lënë këtë punë dhe kërkosh nuk na përgjigjet”, tha Deliu, raporton EO.
Ai tha se do të ketë edhe të tjera protesta paqësore.
Edhe Emrush Limani shprehu pakënaqësi ndaj mosnjohjes së statusit të veteranit, duke treguar të gjitha kërkesat që i ka adresuar.
“Unë nuk e gëzoj të drejtën e veteranit. Nuk më kanë kthy as negativ as s’ma kanë dhanë. Drejtori i veteranëve këtu në Qeveri m’ka thanë: ‘Emrush, dosjen e ke në rregull me ligj, vetëm një nënshkrim na vyen prej Gjilanit’”, tha Limani.
Ai tha se i kanë kërkuar para për të marrë statusin e veteranit. “Më ka thanë që s’po e nënshkruajnë, më kanë lyp pare. Më ka dalë njeri i panjohshëm në kafiq me ka thanë: ‘Njeri nuk kam ardhë me ba hajgare…Ishe kanë në luftë, ta kishin ba të padrejtë. Muj me ta kry punën…Pas një jave më ka thanë ta kam kry. 3000 euro me tha, po 400 menzi t’i kam heq. 2600. 100 tha i kam thanë komisionit në Prishtine që ka me jau qit një kingj, 2500 komisioni… Mas dy dite ose te nesërmen kam ardhur te Gazmend Syla i denoncoj ata se komisioni në Prishtine nuk merr pare, por banda e Gjilanit është tuj marr pare në Gjilan. Jam shku me ta, tash kështu kemi mbet pa status”, rrëfen Limani.
Protestuesit pritën para ndërtesës së qeverisë për dy orë rresht.
Pasi ish-shefi i Zonës Operative të Sharrit, Abdurrahman Nazifi, shkoi në takim me këshilltarin e kryeministrit, me ç’rast ka paraqitur shqetësimet e tyre.
Ai tregoi se çfarë ka biseduar me zyrtarët e Zyrës së Kryeministrit.
“Ishim në një takim me këshilltarin e kryeministrit për shqetësimet e bashkëqytetarëve të cilëve ende nuk u dihet statusi. Bashkëluftëtarët janë target i shumë sulmeve dhe kanë shqetësime se si do të bëhet statusi i tyre, të mbrohet me ligj nga Republika e Kosovës”, pohoi Nazifi.
Ai shtoi se statusi i këtyre ish-luftëtarëve është i pazgjidhur; madje as më elementaren – nuk gëzojnë asnjë lloj statusi as si refugjat në Kosovë.
“Na e dimë qe prokuroria e ka marrë lëndën për veteranët qe është ba shume mediatike dhe madhe për t’u sqaruar se sa luftëtarë i kishte Kosova. Atë do t’ia lëmë prokurorisë dhe gjykata vendos. Jemi për pastrimin e listave, por s’kemi dëshirë te jemi target i përçamjeve dhe fyerjeve mes bashkëluftëtarëve. Ne kërkuam nga këshilltari i kryeministrit që ta bëjë një ftesë për komandantin tonë, Shefqet Musliun, i cili ka qenë komandant i përgjithshëm dhe gjithë stafin komandues të UÇPMB-së dhe Këshillit Politik, për të gjithë ata anëtarë që sot janë gjallë. Na dhanë premtimin që së shpejti do të tentojë ta bëjë takimin dhe sqarimin se i bëhet statusi i këtyre luftëtarëve”, tha Nazifi.