Protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkojnë rritje të pagave

Prishtinë | 22 Dhj 2023 | 11:04 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sindikata e Korporatës Energjetike të Kosovës ka protestuar sërish para zyrave të KEK-ut, raporton Ekonomia Online.

Sipas sindikatës, kjo protestë vjen pas dështimit të marrëveshjes mbi ngritjen e pagave për punëtorët. Sindikata e KEK-ut vlerëson se ngritja e pagave është e domosdoshme për mirëqenien dhe drejtësinë e punëtorëve, dhe paralajmëron hapa të tjerë sindikalë nëse nuk ka përmirësime konkrete në këtë drejtim.

Kjo protestë është përkrahur edhe nga sindikatat e tjera të sektorit privat në vend. Kryetar i Sindikatës Nexhat Llumnica, tha se për punëtoret e kësaj ndërmarrje që nga viti 2018 nuk ka ngritje të pagave.

Ai tha se me rritjen e inflacionit është vështirësuar jeta e këtyre punëtoreve dhe se vetëm janë duke kërkuar që të ju mbulohet paga bazë duke marr parasysh rritjen e inflacionit.

“Më më shumë kujdes e kemi përcjell dialogun, kemi hapur mundësi që një vit por as një herë nuk jemi marr parasysh përveç se shtyrje, shtyrje, shtyrje. Punëtoret e KEK-ut që nga viti 2018 nuk kanë ngritje të pagave, që nga ai vit deri tani vetëm ne Eurozonë i kemi 30 për qind inflacionin, mos të flasim për Kosovës sepse është inflacion i pa kontrolluar. Fuqia blerëse për punëtorët e KEK-ut ka rënë mbi 30 për qind. Nuk po kërkojmë as gjë më shume përveç se të mbulojmë pagën bazë të inflacionit. E kem pagesën për fund jave për punëtoret me ndërrime”, tha ai.

Përfaqësuesi i Sindikatës për Sigurim Fizik, Avni Mziu, tha se punëtoret e KEK-ut janë duke punuar në kushte shumë të vështira dhe për këtë sipas tij, ata meritojnë pagë të dinjitetshme.

“Punëtoret punojnë me kushte të vështira ku ne jemi çdo herë ne çdo vend të punës. Ka aq kushte të vështira që punojnë këtë punëtor që e meritojnë një pagë të dinjitetshme më të vërtet. Edhe ne kemi diçka të hidhur me KEK-un këta njerëz janë të pa dinjitetshme, të pa moralshme dhe hajna”, tha ai.

Selatin Sadiku, përfaqësues i sindikatës tha se, secili nga punëtoret e ndërmarrjes i bëjnë nga tri punë të tjera dhe se në këtë ndërmarrje mungojnë gjërat elementare për siguri në punë.

“Punëtoret e KEK-ut meritojnë rritjen e pagave sepse çdo njëri nga këta punëtor i mban nga tre vende të punës. Gjërat elementare në KEK mungojnë për sigurinë në punë. Pa u rrit paga nuk do të ndalemi me veprime sindikale sepse na kanë gënjyer që një vit”, tha ai.

Të ngjashme