​Protestojnë specializantët e QKUK-së, thonë se ShSKUK-ja po vepron kundër vendimit të Qeverisë

Prishtinë | 13 Mar 2023 | 10:49 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli i Specializantëve të QKUK-së, kanë protestuar të hënën para administratës qendrore të QKUK-së, për shkak të pagesës së kujdestarive në kundërshtim me Ligjin e Pagave dhe vendimeve që Qeverisë, raporton Ekonomia Online.

Sipas tyre, ky vendim i detyron ata që të punojnë pa pagesë dhe në kundërshtim të vendimit të Qeverisë.

Ata kanë thënë se nuk do të ndalen dhe se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.

Kryetari i Këshillit të Specializantëve, Arianit Zajmi, tha se protestat nuk do t’i ndalin dhe se do t’i ndjekin rrugët ligjore për të kërkuar të drejtat e tyre.

“Ne sot kemi vendosur që të protestojmë kundër vendimit të ShSKUK-së, i cili është marrë me 1 mars 2023, vendim i cili na detyron neve që të punojmë në kundërshtim të ligjit të punës dhe na detyron që ne të punojmë pa pagesë. Në të njëjtën kohë ajo që është më e rënda, në aspektin penal, është që ky vendim është duke na detyruar neve që të punojmë kundër rregullores e cila është miratuar me 3 shkurt 2023. Prej 1 marsit, sipas vendimit të ShSKUK-së dhe sipas letrës rekomanduese, ne do të paguhemi në mënyrë të jashtëligjshme”, tha Zajmi.

E Veton Kurti, specializant i Radiologjisë, kërkoi që këto probleme të zgjidhen njëherë e përgjithmonë. Tha se këto protesta po bëhen pa dëshirën e tyre.

“Çdo dy, tre muaj po kemi këso probleme. Ju jeni dëshmitarë të asaj që para dy-tre muajsh keni qenë këtu për të njëjtin problem. Shpresoj që njëherë e mirë të zgjidhet ky problem sepse edhe ne nuk jemi duke dalë këtu nga qejfi por nga zori. Ne e kemi bërë një kërkesë, ndoshta janë duke e shqyrtuar, nuk kemi pasur ndonjë ftesë”, u shpreh ai.

Ndërsa specializanti në Klinikën e Pediatrisë, Leonard Peci, tha se shpeshherë janë përballur me shantazhe e kërcënime.

“Një gjë tjetër që duhet me e potencua është se po kemi shumë shantazhe, kërcënime të formave të ndryshme të specializanteve. Ata po na penalizojnë shkollimin tonë specialistik në formë të shantazheve, nëse ne nuk dalim më shumë se dy kujdestari, që është anti-ligjore dhe nëse dalim me 50 euro ditëve të vikendeve edhe pse ligji punës thotë ndryshe. Po kërcënohemi edhe me provime specialistike, kollofiume e në të gjitha format e tjera nga ana e specialistëve të të gjitha klinikave”, tha ai.

Të ngjashme