Sindikata e punëtorëve të kompanisë “NewCoFerronikeli” kanë marshuar shesheve të kryeqytetin deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Krejt kjo në formë proteste për ndërprerjen e punës së kompanisë pas krizës energjetike. Ata kanë kërkuar kthimin në vendet e punës nga Qeveria e institucionet tjera përgjegjëse.
Kryetari i Sindikatës, Sejdi Morina, tha se sofra e punëtorit po mbetet e thatë, duke shpjeguar kështu një sofër me bukë dhe kryp u vendos para objektit të Qeverisë.
Ai thotë se kjo përçon mesazhin për gjendjen ekonomike të tyre.
“Që gjendja ekonomike dhe sociale e punëtorëve të ‘Feronikelit’ ditë për ditë po keqësohet, kjo simbolikë paraqet se po i vjen momenti që sofra e punëtorëve të ‘Feronikelit’ të mbetet e thatë, d.m.th një bukë, pjata me pak kryp, kjo helmeta simbolizon punëtorin e ‘Feronikelit’”.
“Në anën e djathtë e kemi në djep një foshnje së cilës edhe qumështi i shteron d.m.th përgjysmë e ka shishen me qumësht. Kjo e pasqyron gjendjen reale të punëtorëve të ‘Feronikelit’. Kërkesë drejtuar Qeverisë edhe institucioneve kompetente është që t’i kthejnë sytë nga ’Feronikeli’” ka shtuar ai.
Abedin Haxhiu, tha se po kërkojnë takim me kreun e Qeverisë qe një kohë të gjatë, por që ia nuk i ka pranuar, duke shtuar se një mijë familje janë pa të hyra.
“Qeveria ka obligim dhe duhet të gjejë forma dhe mundësi për të na ndihmuar që ne të kalojmë këtë gjendje të rëndë nëpër të cilën po kalojmë. Kryeministri duhet urgjentisht të na bëjë një zgjidhje që ne të rifillojmë punën dhe të mos mbesim barrë e shtetit ku, një mijë familje janë pa të hyra”.
“Kryeministri duhet ta dijë që përpos që ne kemi mbetur pa paga kjo i kushton edhe buxhetit të shtetit, pasi që siç dihet se 40 deri në 50% të eksportit të Kosovës e bën ‘Ferronikeli’”.
Që nga 8 tetori kur kompania ndali prodhimin punëtorët janë larguar nga puna, raporton EO.
“Stop diskriminimit të punëtorëve të Ferronikelit”, “Nuk duam të jemi në rrugë por në fabrikë”, “Qeveri reflekto”, “Duam trajtim njerëzor të punëtorit”, ishin disa nga mbishkrimet që po mbanin punëtorët gjersa brohoritnin “edhe fëmijët tanë duan bukë”.