Në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës u diskutua për gjendjen në ndërmarrjet publike.
Egzon Azemi nga VV-ja tha Shpend Ahmeti po luan me ndërmarrjet publike, ndërkaq duke iu drejtuar asamblistëve të PSD-së tha se po mundohen ta mbrojnë ekzekutivin.
“Tash janë pjesë e pushtetit dhe nuk dojnë me dal keq ekzekutivi. Pikërisht pse nuk janë caktuar ende bordi duhet të bisedohet për ndërmarrjet publike”, tha ai.
Nol Nushi tha se nuk është e arsyeshme të bisedohet për ndërmarrje kur bordet brenda ende nuk janë zgjedhur, raporton Ekonomia Online.
“Nuk kemi asnjë interes që të mos diskutohet për ndërmarrjet publike. Krejt ndërmarrjet janë në konfigurim e sipër. Asnjë bord drejtues nuk është zgjedhur me gjasë. Unë nuk e di për çka keni me raportu sot, dhe krejt partitë keni pjesëmarrës në KPF”, tha ai.
Egzon Azemi nga VV-ja, e akuzoi kryetarin Shpend Ahmeti për punësime pa meritë në Ndërmarrjen Publike Banesore.
“Ndërmarrjen Publike Banesore vetë Shpendi e theksoi si arritje, mirëpo menjëherë pas dorëheqjes nga VV-ja iu turr që ta ndërronte menaxhmentin. Ne të gjithë e dimë gjendjen e shumë ndërmarrjeve të tjera që janë në gjendje të rëndë, ndërkaq ekzekutivi po koncentrohet të Ndërmarrja Publike Banesore. Vendimet për fatin e NPB-së u morën në kafene. Si kuvend e kemi obligim të reagojmë dhe t’i tregojmë Ahmetit që nuk mund të luaj me ndërmarrjet publike”.
“Çështja e ndërmarrjeve publike nuk është vetëm te NPB. Mos tentoni të arsyetoni gjëra që nuk arsyetohen. Nëse dojnë vërtet të ia ruajnë imazhin e ndërmarrjeve mos të bëjnë punësime pa meritë”.
Nol Nushi nga PSD-ja tha se akuzat e drejtuara nga asamblistët e VV-së janë të pabaza.
“Në fillim të fjalës Egzoni tha se kjo qeverisje po don m’i kap ndërmarrjet publike dhe pjesë e kësaj qeverisje janë tre drejtorë të Lëvizjes Vetëvendosje. Egzoni tha se shumica e ndërmarrjeve publike kanë funksionu mirë e tash po funksionojnë keq. Nuk ka drejtues të përhershëm e as perfekt. Krejt kanë me iu fut garës dhe kjo ka me qenë e monitoruar nga Ambasada Britaneze”.
Shefki Gashi nga LDK iu drejtua VV-së duke thënë se duhet të vendosin ose të jenë pozitë, ose opozitë.
“Është e vërtetë që mandatin e kaluar kanë menaxhuar më mirë shumica e ndërmarrjeve. Ne si LDK do ta kemi një qëndrim, ju që jeni pozitë mos e luani rolin e opozitës, ose rrini opozitë ose pozitë, ndajeni shapin prej sheqerit”, tha ai.
Blerand Stavileci nga PDK-ja tha se ndërmarrjet publike nuk duhet të identifikohen me një person.
“Na duhet me pasë diskutim thelbësor për ndërmarrjet publike. Qytetarit nuk i intereson as partia, as personi që e udhëheq, por shërbimi dhe cilësia. Ne duhet me u fokusu në pjesën konstruktive që është aty. Nëse PSD-ja dhe VV-ja kanë me sqaru hesape, le t’i sqarojnë mes vete dhe mos të na përfshijnë neve”.
Dren Kukaj, drejtor i Pronës në Komunën e Prishtinës, tha se si aksionarë u është pamundësuar kyçja në bordin e Ndërmarrjes Publike Banesore.
“Për hir të informimit të opinionit publik dua të ju them se ne si aksionarë na është pamundësuar në kyçjen e bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore. E kam të vështirë të kuptoj se si VV-ja vjen në këtë pikë dhe e mbron një veprim si ky. Jo vetëm ne si aksionarë, ku na është pamundësuar hyrja por asnjë shkresë e komunës nuk mund të shkojë në ndërmarrje”.