Partia Socialdemokrate ka kërkuar pavarësi financiare për mediumin publik, Radio Televizionin e Kosovës (RTK), raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, kjo mund të bëhet përmes një ligji të ri, që PSD-ja propozon të hyjë në fuqi nga viti 2020 e që duhet të financohet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Deputetët e kësaj partie propozojnë që për qytetarët të jetë një tarifë 20 euro në vit.
Deputetja e kësaj partie, Shqipe Pantina, thotë se vetëm përmes këtyre ndryshimeve mund të hiqet dorë nga ndikimi i pushtetit , në mënyrë që të ketë pavarësi financiare dhe editoriale RTK-ja.
“Si i vetmi medium publik, RTK-ja është kontrolluar krejtësisht nga pushteti, ka shërbyer si altoparlant propagandistik dhe si çerdhe për punësimin e militantëve dhe familjarëve të partive në pushtet. RTK-ja duhet të jetë medium publik i pavarur. Projektligji aktual që është miratuar në lexim ndonëse ka përmirësime nuk e garanton këtë pavarësi. Për ta bërë RTK-në medium publik dhe të pavarësuar ajo duhet të shkëputet drejtpërdrejt nga ndikimi i pushtetit që ushtrohet përmes Kuvendit, si mbikëqyrës i këtij mediumi”, ka thënë ajo, raporton EO.
“…PSD mendon se pa pavarësi financiare të RTK-së nuk mund të ketë as pavarësi menaxheriale e as editoriale. PSD-ja propozon që më hyrjen në fuqi të ligjit të ri, nga janari i vitit 2020 të financohet drejtpërdrejt nga qytetari përmes një tarife e cila nuk duhet të jetë më e madhe se 20 euro në vit. Bordi i RTK-së duhet që brenda 6 muajve të hyrjes në uqi të ligjit të hartojë rregullore për mënyrën e inkasimit. Tarifa prej 20 euro në muaj është e përballueshme dhe familjet me asistencë sociale duhet të lirohen nga kjo tarifë”.
Deputeti i PSD-së, Dukagjin Gorani, tha se ky Projektligj nuk do ta ketë përkrahjen e kësaj partie pa ndryshimet që ata propozojnë.
“PSD-ja insiston që pa marrjen parasysh të këtyre ndryshimeve strukturore dhe fondamentale, në formën siç është sot Projektligji për RTK-në është i papërkrahshëm nga PSD-ja dhe ne do të kërkojmë në të ardhmen që pa këto ndryshime të mos kalohet Projektligji e cili e siguron edhe keqmenaxhimin për të ardhmen”, tha ai, raporton EO.