Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj përmes një postimi në Facebook ka publikuar logon e re të partisë së tij.
Sipas tij, kjo logo është demokracia si fushë e hapur, pa vende të garantuar për subjektin apo me çfarëdo entiteti substancial.
“Gjithnjë në bërje, në formësim, asnjëherë i përfunduar.”, thotë në postimin e tij ndër të tjera kryetari i PSD-së.
Për më shumë lexojeni postimin e plotë të Molliqajt:
Simboli ynë është abstrakt, por me shprehje. Është demokracia si fushë e hapur. Pa vend të garantuar për subjektin, apo çfarëdo entiteti substancial.
Tek format e ndara, por që rrijnë bashkë me njëra – tjetrën kemi paraqitur pikëpamjen tonë për demokracinë shoqërore. Klasa, shtresa, çështje: punëtorët, barazia gjinore, ambienti. Ajo është shumësia në veprim si marrëdhënie e vazhdueshme hegjemonike midis secilës pjesë dhe tërësisë, që nuk degradon në politikë identitare, as nuk mbyllet e reduktohet tek Njëshi unitar.
Politika ushtrohet tash dhe këtu. Aksioni demokratik kërkon subjekte autonome drejt përvojave krijuese. Shumë kënde sepse pozicione te ndryshme e heterodoksi, drejt rrethit sepse demokraci, na doli një yll. Ky yll që disa e vërejnë e disa jo, nuk është as si ylli i Holywoodit, as ylli evropian, as ylli amerikan; nuk është as ylli ndriçues i realizmit socialist.
Përmes yllit ne shprehim natyrën e të vërtetës dhe marrëdhënien tonë me të. Ajo është kërkim e synim, siç është ylli orientues. Por, karakteri i saj i përhershëm është i lidhur me natyrën e saj të pambërritshme. Ajo nuk kapet as nuk mbërrihet sepse historia nuk kryhet.
Gjithnjë në bërje, në formësim, asnjëherë i përfunduar.