Partia Socialdemokrate përmes një telegrami ka ngushëlluar familjarët e veprimtarit Adem Demaçit, i cili ka vdekur sot pasdite.
“Baca Adem Demaçi simbolizon virtytin më të lartë të angazhimit politik karshi një shtypjeve të egër kolonizuese që shpërfillte të drejtat elementare njerëzore sikur ato kombëtare e sociale të Serbisë e Jugosllavisë në Kosovë. Në këtë drejtim 28 vitet e burgosjes së Bacës Adem, më shumë se çkado tjetër, shpërfaqnin gënjeshtrën formale të ‘Jugosllavisë së popujve të barabartë’”, thuhet ne telegram ngushëllimin e PSD-së.
Demaçi ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare pas një sëmundje të rëndë nga e cila po vuante.
Më poshtë gjeni të bashkangjitur komunikatën e plotë:
Partia Socialdemokrate ka shpreh pikëllimin e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e Bacës Adem Demaçi. Veçanërisht ngushëllojmë familjarët e të afërmit e Bacës Adem, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, dashamirët e tij, popullin e Kosovës dhe mbarë kombin shqiptar. Sepse baca Adem ishte i të gjithëve, dhe tërë jetën e tij ua kushtoi të gjithëve, universalisht lirisë e barazisë, rezistencës e luftës kundër shtypjes, paqes e solidaritetit.
Përpjekja afatgjatë popullore e shqiptarëve të Kosovës për liri e barazi, për dinjitet e zhvillim, përshkruhet përmes dy lloj angazhimesh: rezistenca e organizuar aktive (herë ilegale e herë gjysëm-legale) dhe lufta e armatosur.
Të dy këto faza të angazhimit lidhen me dy prijëtarë e pishtarë, dy Bacët : Adem Demaçi dhe Adem Jashari!
Baca Adem Demaçi simbolizon virtytin më të lartë të angazhimit politik karshi një shtypjeve të egër kolonizuese që shpërfillte të drejtat elementare njerëzore sikur ato kombëtare e sociale të Serbisë e Jugosllavisë në Kosovë. Në këtë drejtim 28 vitet e burgosjes së Bacës Adem, më shumë se çkado tjetër, shpërfaqnin gënjeshtrën formale të ‘Jugosllavisë së popujve të barabartë’. Baca Adem me qëndrimin e tij tregoi se Jugosllavia dhe Serbia kishin instaluar regjim kolonial në Kosovë që shtypte e përndjekte, dëbonte dhe vriste shqiptarët. Pra ishte regjim që mbijetonte përmes represionit, e jo pushtet demokratik i vullnetit popullor.
Siç e thoshte në poezinë e tij Agim Spahiu :
Ishe djalë me fytyrë të paqtë e me këmishë të bardhë
Ishe djalë,
Dhe pe larg…. ky ishte faj?
Por, në anën tjetër, Baca Adem emanciponte politikisht. Për së brendshmi frymëzonte qindra e mijëra njerëz dhe u tregonte atyre për rëndësinë e qëndresës e angazhimit për liri, për barazi, për zhvillim, për Republikë dhe për bashkim kombëtar. Nga Baca Adem më së shumti, në Kosovë e jashtë saj mësuam e kuptuam se nuk jemi të lirë dhe se liria nuk vjen pa sakrificë. Përmes rezistencës së tij, e përmes tij, kuptuam se sa e rëndësishme është ta kemi shtetin tonë, sa e rëndësishme është të vendosim vetë për fatin tonë kolektiv, sa e rëndësishme është të jetojmë dinjitetshëm, se si sistemi shoqëror politik që përndjek e shtyp nuk mund të jetë i mirë, edhe kur mundëson kamje, dhe se si sistemi shoqëror e politik që nuk mundëson barazi e mirëqenie nuk mund të jetë i duhuri edhe kur nuk përndjek e shtyp objektivisht.Kështu Baca Adem me qëndresën e tij i tregonte botës se çfarë shtypje ekzistonte në Kosovë, por edhe se në çfarë nivele të lirisë e barazisë ishin arritur nëpër botë.
Baca Adem ishte intelektual i angazhuar. Shkrimtar, gazetar, aktivist për të drejtat e njeriut. Veprat e tij letrare, shkrimet e tij publicistike dhe aktiviteti i tij për të drejtat e njeriut shpërfaqin karakterin e tij emancipues shoqëror. Lexonte Nolin, Samiun, Sartrin, Gëten, Dostojevskin…Modern, fliste si populli, për popullin.
Adem Demaçi nuk e kishte prioritet pushtetin edhe pas çlirimit. Luftonte regjimet, jo popujt. Për liri dhe barazi për të gjithë.
Kritik dhe vetëkritik, Baci shquhej për nga modestia dhe dinjiteti.
Ishte demokrat i bindur. Humanist i lindur. Madhështi. Siç ju njoh botërisht me çmimin « Sakharov».
Nuk ka fjalë të bollshme që mund ta përmbledhin tërë veprën e rëndësishme, të pazëvendësueshme, e të papërsëritshme të Adem Demaçit; në shërbim të lirisë, barazisë, solidaritetit, paqes e popullit. Baca Adem e dëshmoi se njerëz të mëdhenjë mund të lindin nga popuj të vegjël, të nëpërkëmbur. Se madhështia nuk vjen nga madhësia e popullit prej nga vjen, por nga vendosmëria, urtësia e përkushtimi.
E nuk ka as fjalë të bollshme për ta përshkruar pikëllimin për humbjen e tij. Përveç kënaqësisë e krenarisë se vepra e tij do të jetojë e jehojë.
I lehtë i qoftë dheu.
E përjetshme qoftë lavdia e tij.
I përhershëm qoftë kujtimi për të.