Partia Socialdemokrate takimin e mbajtur në Berlin në mes të Avni Arifi dhe Marko Gjuriq, si vazhdim i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i fshehtë dhe pa kurrfarë paralajmërimi e konsultimi, po e vlerëson si të papranueshëm dhe shumë të dëmshëm për zhvillimet politike në Kosovë e në dialogun me Serbinë.
“Përmes Rezolutës për Dialogun që themelon Delegacionin shtetëror dhe Ligjit për Delegacionin që ia sanksionon këtij të fundit të kompetencat dhe përgjegjësitë, deputetët e Kuvendit të Republikës janë përcaktuar për tjetër format të dialogut vendimmarrja për të cilin i takon Kuvendit. Ky mekanizëm për herë të parë ka sjellur në Kosovë vendimmarrje demokratike, transparente, e legjitime për sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, si dhe ka krijuar mekanizëm për koncensus politik e shoqëror. Takimet e tilla të fshehta bien ndesh me të gjitha parimet fundamentale që përfaqëson Delegacioni: pra është takim jotransparent, larg syve të deputetëve e publikut, pa kurrfarë legjitimiteti”.
“Kuvendi po ashtu ka miratuar Platformën shtetërore për Dialogun e cila ravijëzon qartë parimet udhërrëfyese të Kosovës në dialog. Aty në mënyrë të qartë dhe eksplicite është saktësuar se nuk ka dialog teknik e politike, e aq më pak vazhdimësi e atij lloj dialogu që e kemi pasur deri tash. Kështu që ky takim, dhe temat eventuale që qenkan diskutuar në të, janë në kundërshtim të plotë me parimet udhërrëfyese të Platformës”.
“PSD ka pasur qëllim që dialogu me Serbinë për herë të parë të merr një dimension të racionalitetit politik e legjitimitetit demokratik dhe të bazohet në dokumente e takime transparente. Prandaj edhe kemi propozuar që Kuvendi duhet ta drejtojë atë. Prandaj edhe i kemi marrë seriozisht Reolutën, Ligjin e Platformën. Sepse mendojmë se kjo është rruga e vetme se si mbrohet interesi i Kosovës, dhe se si mundësohet përbashkimi mes forcash politike e organizatash shoqërore për një çështje kaq të rëndësishme. E qartë: me talljen e joseriozitetin e të tjerëve, me protagonizmin e papërgjegjësinë e krerëve institucional, nuk kemi arritur gjë e e kemi pësuar shumë. Nuk ka kurrfarë kuptimi që të vazhdojmë njëjtë’, përfundon komunikata e PSD-së.