Partia Socialdemokrate përmes një komunikate për medie tha zgjedhjet janë të nevojshme pasi sipas tyre institucionet nuk janë pasqyrë e vullnetit popullor, përcjell Ekonomia Online.
PSD thotë se mentaliteti politik tani është i fokusuar në rezultate sesa në shpalosjen e së vertetës.
“Partia Socialdemokrate nuk do ta pranojë argumentin e numrave si zëvëndësimin për të vërtetën dhe domëthënien e këtyre zgjedhjeve. Për ata që vërtetë iu intereson politika, më i rëndësishëm sesa rezultati është një fazë e re në të cilën po hyjmë si shoqëri. Partitë e vjetra janë në theqafje, kurse kjo tjetra në radhë ka zgjedhur improvizimin në vend të përparimit. Antikorrupsioni nuk është projekt afirmativ për Kosovën e të ardhmes. Ai mund të funksionojë veç për ndonjë ditë si propagandë.”, thuhet në komunikatën e tyre.
“Jemi të bindur se kjo rrëshqitje e rëndë nuk ndalet më përmes partive aktuale, as duke pranuar kornizën hegjemonike ku zgjedhjet janë rituali që legjitimon situatën. Demokracia nuk është kalkulimi i numrit si moral që kryhet kur i atribuohet liderit. Ajo është rruga pa skaj e dinamikës shoqërore si shumësi. Kjo paskajore bashkë me shumësinë kërkon ndërhyrje që nuk është elektorale. Është pjesëmarrje e aksion”,shkruan aty tutje.
Tutje pjesa tjetër e komunikatës (pa ndërhyrje)
Sa do t’i marrë PARTIA? 40, apo 50%.
Mbizotërojnë dy lloj argumentimesh që flasin për të njëjtën tendencë. Zgjedhjet kërkohen e shpjegohen si pasojë e humbjes së legjitimitetit demokratik të legjislaturës aktuale pas rrëzimit, e pastaj ndryshimit të qeverisë. Pra, na duhen zgjedhjet sepse institucionet nuk janë pasqyrë e vullnetit popullor. Ndërkohë, paralel me kërkesën për të rivendosur demokracinë, pa shumë zhurmë pa kalon një proces tërësisht autoritar. Kemi të bëjmë me koncentrim pushteti brenda partisë, nga niveli lokal te ai qendror. Praktikisht, pas ndryshimeve të fundit statutore, mbi gjysmën e kandidatëve për deputetë tash i caktojnë Kryesia e Kryetari. Në fakt vetëm Kryetari.
Ky është fati i secilit organizim bolshevik: në fillim parrulla e famshme: “i gjithë pushteti sovjetëve”; pastaj kuptohet se sovjetët udhëhiqen nga Partia; në fakt me forcimin e pushtetit udhëheq pararoja paranoike brenda partisë; vjen puna që kjo paranojë nuk e lë askënd veç liderit suprem. Pra, një parti i merr të gjitha, kurse brenda saj është veç një vendimmarrës – lideri suprem.
Politika që duam nuk e ka pikënisje suksesin, faktet as numrat. Na mjafton e vërteta edhe nëse jemi vetëm. Në fakt jemi më shumë se ç’duhet. Mbi të gjitha e kemi një ide. Porosia jonë për këto zgjedhje është: kemi beteja që na presin.