Pse kaq shumë e deshëm sosjen e 2023-ës?

Prishtinë | 29 Dhj 2023 | 01:40 | Nga Enis Reçica

Sa herë presim diçka nxitimthi, vonohet! Ecën ngadalë dhe koha, dhe ditët, dhe viti. Kur të ikin ditët, dhe koha, dhe viti – themi iki si me pahir. Kështu, ngadalë nisi, e shpejt u sos edhe 2023-ta…, vit që kaq shumë e deshëm, por edhe më ia dëshiruam ikjen.

Sosjen e këtij viti nuk e kërkuam pse na u rënduan xhepat për nga vlera që kishte paraja. Edhe pse këtu është çelësi*. Ndonëse viti nisi me 12.1% inflacion, e po mbaron me rreth 4%. Kosovarët duan jetë më të mirë. Ata meritojnë edhe më shumë, dhe jo të shohin statistika se në vitin 2023 është rritur varfëria për 16 % (sipas UNDP).

Nxitimin për lëvizjen e shpejtë të ditëve të kalendarëve nuk e bëmë as për gjakun që na rrodhi dhe ngjyrosi secilën faqe. 29 vrasjet e tmerruara (30, një u shtua gjatë shkrimit të këtij teksti) do të na kujtohen si arkiv i vitit 2023, pa dashur kurrë t’i përsërisim. Ato vrasje ishin brenda familjeve tona. Edhe kjo potencialisht mund të jetë, në një ambient normal, arsye për shtimin e egos për ta lënë 2023-tën. As kjo s’është! Ndonëse dorasit që gjenden lirohen e “s’dënohen”, e ata që s’gjenden harrohen.

E çuditshme se si nuk po na pikëllon fort as dhimbja që përjetuam që në muajin e parë me vendosjen e karriges së të pamës për 5 personat e vdekur nga 1.549 aksidentet e komunikacionit. Shifrat s’u ndalën vetëm në janar. Me t’u pakuar faqet e kalendarit, rriteshin shifrat e vdekjeve. Dhe kur erdhëm në faqen e fundit, e pamë se lotët i përjetuam plot 104 herë (më falni, 106 herë, se gjatë shënimit të këtij teksti iu mohua ardhja në jetë dy binjakëve, pasi u aksidentua një nënë shtatzënë). E prapë, mësim s’marrim, e shpejt makinës i grahim. Aq më pak kjo s’na shtoi dëshirën të ikim nga 2023-ta, ndonëse edhe veturat do t’i shfrytëzojmë për ikje.

Jo. Muajt, javët, ditët nisëm t’ia numërojmë këtij viti që nga 18 prilli, kur u vendos liberalizimi. Ja pse e mirëpritëm këtë vit të arrijë, dhe më pas të ik shpejt. E pritëm vendimin më 2023, për të ikur në 2024-tën! Ndoshta ikja na largon nga këto mërzi…

Tani orët, minutat e sekondat po i numërojmë për t’ia kthyer “shpinën” Kosovës! Kapërcimi kohor i 2023-ës shkakton kapërcimin gjeografik të hartës së shtetit tonë nga shumëkush. Këta shumëkush, shpresojmë të mos jenë shumë!

Si shkak i kësaj krize “identitare”, dhe jo vetëm të këtij lloj kriminaliteti që po na trazon, tashmë njerëzit kanë prerë biletat e udhëtimit për ta lënë Kosovën. Është lëvizje vetëm turistike, por dikush me vetëdije, biletën e ka pa kthim, marrë rrezikun e dënimit të “ilegalitetit”. Para gjysmës së dhjetorit, mbi 300 mësimdhënës aranzhuan fluturimet. Të njëjtit kanë kërkuar pushim njëvjeçar pa pagesë për t’u larguar nga Kosova pas 1 janarit (SBASHK, 18 dhjetor). Në Kosovë, nga niveli parashkollor deri në nivelin e mesëm të lartë, janë 23.173 mësimdhënës (ASK).

Kosovën, para liberalizimit, veç në 2023 e lanë edhe 155 mjekë, nga 5270 sa janë krejt (OMK). Në vitin 2022 numri i mjekëve që e kanë lëshuar vendin ishte mbi 200, kurse i infermierëve mbi 1.000. E sa janë të interesuar ta bëjnë këtë më 2024?!

Mos të harrojmë, në sektorin publik janë diku 85 mijë zyrtarë të punësuar, ndërsa në atë privat rreth 300 mijë. Shifrat zyrtare, për prenotim të biletave, dhe kërkesë për pushime pa pagesë nuk dihen ende. Mbase, mund të numërohen gjatë muajit prill, kur bëhet regjistrimi i popullsisë nga ASK (ishte i paraparë për 2021, u vendos për 2023, e lanë për 2024).

Sipas një ankete të EPPC Kosova & Shqipëria, 45 % e të anketuarve kanë shprehur interesim ta lënë Kosovën. Ndonëse, frikësuese është që 20% janë të gatshëm për çfarëdo pune në Evropë, vetëm që të mos rrinë më në Kosovë. Shqetësuese! 20% ynë është i barabartë me 100 mijë banorë. Këta janë të fuqisë punëtore. Sepse duan më mirë, meritojnë më mirë.

Shpresoj të vije shpejt viti i dëshiruar, që të ikurit mezi e presin kthimin në Kosovën më të mirë. Të ikurit, që sivjet sollën në Kosovë, 1.2 miliard euro (BQK).

Të ngjashme