Pse këmbëngulim edhe kur e kemi gabim?

Prishtinë | 24 Nën 2018 | 23:20 | Nga Ekonomia Online

Herët a vonë kjo u ndodh të gjithëve. Vjen një kohë në jetë, kur e kuptojmë se duhet të ndryshojmë, duhet të marrim një tjetër drejtim, pasi ajo që kemi bërë deri tani thjesht nuk funksionon, apo na çon drejt një qorrsokaku. Por, të qenit të vetëdijshëm për nevojën e ndryshimit është vetëm hapi i parë. Zakonisht, pas saj vjen një fazë në të cilën na kap ngërçi, ndihemi të bllokuar në vendimet e të kaluarës, dhe kuptojmë se egoja na çon sërish tek zakonet e këqija.

Pa e kuptuar, fillojmë të këmbëngulim të ecim në drejtimin e gabuar, dhe natyrisht nuk do të shkojmë përpara, por prapa. Megjithatë, përpjekja që kemi bërë është aq e madhe sa që në fund do të lodhemi dhe mbetemi të pamotivuar, pa e kuptuar se çfarë ka ndodhur. Përgjigja është shumë e thjeshtë:jemi viktima të asaj që mund të quhet ”sindroma e këmbënguljes së gabuar”.

Të këmbëngulësh në drejtimin e gabuar

Përfytyrojeni periudhën e verës. Gjendeni të shtrirë në shtrat, në heshtje, dhe filloni të ndjeni të nxehtin mbytës. Për t’u freskuar hapni pakëz dritaren. Më pas hapni pak edhe një tjetër dritare për të krijuar një korrent të vogël ajri. Kur shtriheni sërish në shtrat ndiheni shumë më mirë, por pas disa minutash filloni të mendoni se nëse do ta hapnit pak më tepër njërën nga dritaret, do të ndjeni edhe më pak të nxehtin. Ngriheni edhe ashtu bëni. Dhe vazhdoni kështu, deri kur dritaret janë të hapura plotësisht.

Në fund shtriheni i qetë mbi shtrat, gati për t’u çlodhur dhe gëzuar freskinë e prodhuar nga korrenti i ajrit, por pas disa sekondash e kuptoni se i nxehti është rikthyer. Pse? Përgjigjja është e thjeshtë:në bazë të ligjeve të fizikës, vjen një pikë kur sa më shumë që t’i hapni dritaret, aq më më ngadalë qarkullon ajri. Shpesh në jetën tonë e vëmë në praktikë këtë lloj sjellje. Në fakt, ne këmbëngulim në drejtimin e gabuar, kur:

– Kapemi pas sjelljeve të shkuara që qenë efektive dikur, por tashmë nuk janë më të tilla dhe e kanë humbur kuptimin e tyre.

– Këmbëngulim tek kritikat, duke menduar se në rast se ia bëjmë shpesh ato personit që kemi përballë ai do të ndryshojë, kur në fakt ne vetëm sa e detyrojmë këtë të fundit të marrë një qëndrim mbrojtës.

– Ngulim këmbë tek një ëndërr apo një ide, të cilën e cilësojmë të shkëlqyer, pa marrë në konsideratë informacionin që na dërgon bota reale, se jemi duke ecur në drejtimin e gabuar.

– Mbetemi të lidhur në një marrëdhënie në çift, e cila nuk funksionon më dhe është bërë një burim i konfliktit dhe pakënaqësisë.

Në të gjitha këto raste, fillimisht sjelljet, besimet apo idetë e caktuara qenë krejtësisht të vlefshme dhe efektive. Megjithatë, në një pikë të udhëtimit të jetës kushtet kanë ndryshuar, dhe ne nuk e kuptojmë këtë, kështu që vazhdojmë të përsërisim sjelljet e vjetra, apo të përdorim besimet që janë bërë të keq-adaptueshme.

Natyrisht, në këtë pikë rezultatet që marrim nuk janë ajo që prisnim, dhe në vend se të ecim përpara ndihemi të bllokuar apo kthehemi pas. Pastaj futemi në një rreth vicioz, pasi fillojmë të këmbëngulim në drejtimin e gabuar, duke humbur forcë dhe energji. Në këto kushte, në vend të reflektimit mbi besimet tona thelbësore, ne mendojmë se problemi është se nuk po bëjmë gjithçka mundemi. Atëherë dyfishojmë përpjekjet tona në drejtimin e gabuar.

Sigurisht, të jetosh brenda këtij cikli, të notosh vazhdimisht kundër rrymës, mund të jetë shkatërruese, pasi në fund mbërrijmë në përfundimin se nuk jemi mjaftueshëm të aftë, kur në të vërtetë problemi është se kemi nevojë të ndryshojmë drejtimin.

Si dilet nga ky rreth vicioz?

Nëse kohët e fundit ndjeheni të bllokuar në një situatë që po konsumon forcat dhe energjinë tuaj pa marrë rezultatet e pritura, ndoshta problemi është se jeni duke insistuar në drejtimin e gabuar. Bëji vetes këto pyetje:

– Jeta është në ndryshim të vazhdueshëm, po ju a keni ndryshuar mjaftueshëm? Një fjalë e urtë kineze thotë se “nuk mund të kontrolloni dot erën, por mund të kontrolloni velat e varkës tuaj”. Jeta ndryshon vazhdimisht, por ndonjëherë ne s’jemi në gjendje të përshtatemi me shpejtësi të mjaftueshme ndaj këtyre ndryshimeve. Por, përsëritja e vazhdueshme e sjelljeve të shkuara, vetëm sepse dikur ato kanë funksionuar, nuk është garanci për sukses, por përkundrazi për dështim.

– Shihni rreth e rrotull, çfarë sinjale po dërgon bota drejt jush? Shpesh ne këmbëngulim të ndjekim një rrugë të caktuar, për shkak se jemi shumë të përqendruar tek vetja dhe shpërfillim shenjat që na dërgon bota, për të na treguar se jemi duke shkuar në drejtimin e gabuar. Prandaj, bëni një ndalesë gjatë rrugës, krijoni një distancë emocionale dhe përpiquni të deshifroni kuptimin e të gjitha këtyre pengesave, problemeve dhe konflikteve që lindin dhe ju bllokojnë. Ndoshta ato janë aty vetëm për t’iu treguar se është më mirë të merrni një drejtim tjetër. Në fakt, nëse plani juaj i jetës nuk funksionon, kjo s’do të thotë që duhet të ndryshoni qëllimin, por projektin.

Nga se keni frikë? Ndonjëherë ne këmbëngulim të ecim në drejtimin e gabuar, vetëm sepse mundësitë e tjera na frikësojnë. Në realitet, ky është një gabim i përbashkët në shumë raporte ne çift. Ne mbetemi të lidhur me një person, pasi mendojmë se nuk do të gjejmë më dikë tjetër, dhe frikësohemi se do të mbetemi vetëm. Sigurisht, kjo nuk është një arsye e mirë për të kushtëzuar jetën tonë. Sigurohuni që vendimet tuaja të jenë shprehi e ëndrrave dhe shpresave, dhe jo e frikërave tuaja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme