«Harrojeni të kaluarën», thonë disa politikanë nga Tirana. Analistë nga Prishtina dalin me diagnoza mjekësore për shoqërinë e Kosovës: e quajnë të sëmurë! Zëra të izoluar, por të zhurmshëm nëpër media sociale akuzojnë në mënyrë paushalle krejt gazetarët e Kosovës për shkak se nuk qenkan mjaft kritikë ndaj elitave politike. Nuk ka vend në rajon ku gazetarët kanë kritikuar më ashpër klasën politike se në Kosovë. Ka dëshmi për këtë. E kam fjalën për gazetarë, jo për mercenarë. Pra, të dashur kozmopolitë në tentativë, mondialistë në tentativë, globalistë në tentativë – një rregull i rëndësishëm i gazetarisë është edhe ky: mos përgjithësoni. Dhe sidomos mos shtini mend me njëfarë atitude pseudoneokolonialiste-perëndimore kundër “fiseve vendore” dhe “gazetarëve lokalë”. Njerëzit në Kosovë nuk janë të paaftë të mendojnë me kokën e tyre. Gjeni mënyra të tjera për t’u profilizuar, jo me kukama në mediat sociale, duke i dhënë rëndësi çdo trolli digjital.
Njerëzit shohin. Kur një politikan shqiptar apo analist oborri në Tiranë thotë “harrojeni të kaluarën”, Serbia kujdeset t’i nxjerr lakuriq faqe botës politikanin shqiptar dhe mbështetësit e tij militantë.
Ja ç’bën Serbia për të harruar të kaluarën:
Britmat “harrojeni të kaluarën”, “arti bashkon popujt” etj. janë jo vetëm cinike, por edhe fyese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kosova nuk dëshiron të detyrojë askënd në Shqipëri të solidarizohet me vuajtjet e popullit shqiptar në Kosovë. As nuk mund ta bëjë këtë, është punë ndërgjegjeje e secilit. Por Kosova do të kundërshtojë çdokënd kur fyhen viktimat në emër të njëfarë “bashkëpunimi rajonal” duke e injoruar kryeproblemin: refuzimin e Serbisë për të pranuar shtetësinë e Kosovës.