Pse mund të fitojë Trump në SHBA?

Prishtinë | 03 Nën 2024 | 11:26 | Nga Agron Hoti

Fakti që tashmë Perëndimi përmes Ukrainës e ka frenuar Rusinë që të mos depërtojë me thellë në Evropë i jep komoditet të madh SHBA-së që tash e tutje të përqendrohet në Lindje të Mesme e Azi Qendrore e shumë më shumë në Indo-Pacifik ku Kina po synon të fitojë terren në dëm të SHBA-së.

Ndërtimi i murit mbrojtës në Evropë nga bashkëpunimi i sforcuar ushtarak mes Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe nën mbështetje edhe të Francës krahas mbështetjes së rezistencës në Ukrainë e eliminon mundësinë e futjes së SHBA-së drejtëpërdrejtë në luftë në Evropë kundër Rusisë. Dhe ky është një avantazh i madh i SHBA-së për të pasur humbje sa më të vogla nga kjo luftë.

Fakti që Rusisë brenda një viti po i vdesin mbi 250,000 ushtarë në Ukrainë tregon më së miri që Rusia tanimë është frenuar, por që duhet mbajtur sa më gjatë në luftë në mënyrë që humbjet e saj të jenë sa më të papërballueshme. E kemi thënë edhe më herët që asgjë në botë nuk është më e kushtueshme sesa lufta, ndaj sa më e gjatë që të jetë lufta në Ukrainë aq më të mëdha do të jenë humbjet për Rusinë.

Fakti që evropianët tanimë janë kthyer plotësisht kah SHBA, për dallim nga dje (periudha 2000-2022) kur vraponin pas Rusisë bile në dëm shqiptarëve, është po ashtu një mundësi më tepër për SHBA-të që të kthehet kah Azia, pa pasur nevojë ta ruajnë shpinën në Evropë. Fakti që evropianët tanimë kanë ndërprerë lidhjet kryesore energjetike, ekonomike dhe politike me Rusi e ul çdo shqetësim të SHBA-së për kontroll të Evropës nga Rusia. Rusia nuk ka më kapacitete që të avansojë në pushtimin e Ukrainës.

Evropa tash problemin kryesor do ta ketë sigurimin e energjisë nga vende që janë jashtë orbitës së ndikimit rus. Do të shohim përafrim gjithnjë e më të madh mes evropianëve dhe arabëve dhe turqve si urë mes tyre. Kjo do ta karakterizojë politikën e Evropës në vitet që vijnë. Kaq për Evropën. Evropa më s’do të jetë faktor global. Do t’i mjaftojë Evropës një Rusi e dobësuar pa kapacitete kërcënuese.

Sa i përket Lindjes së Mesme, Izraeli është duke dobësuar grupet terroriste të mbështetura nga Irani. Izraeli do të vazhdojë ta bëjë edhe më tutje de-iranizimin e Lindjes së Mesme pa pasur nevojë që SHBA të futet drejtpërdrejtë në konflikt të armatosur. Afganistani në Azi Qendrore ka ngelur as me SHBA e as me Rusi e që është pikërisht ky interesi i SHBA-së.

Të kthehemi te ajo se kush mund të fitojë në SHBA. Historikisht demokratët kanë pasur synim Evropën, kurse republikanët Azinë. Duke qenë se zhvillimi ekonomik po zhvendoset në Azi, atëherë është logjike që atje do të mbizotërojnë interesat. Shekulli 21 do të jetë shekulli i Azisë sa i përket zhvillimit ekonomik. Mrekullitë ekonomike që po ndodhin në Azi kanë qenë përtej çfarëdo parashikimi.

Ndërkohë, problemi kryesor i SHBA-së në Indo-Pacifik do të jetë frenimi i Kinës. Deri me tani Kina mori dy goditje të mëdha nga SHBA: e para ishte rishikimi e shpejtë i marrëveshjeve kryesore tregtare të SHBA-së me botën, të cilën e bëri Presidenti Trump duke ngjallur shumë siklete diplomatike gjatë mandatit të tij të parë me theks të veçantë në Kinë; kurse e dyta ishte Pandemia COVID 19 gjatë kohës së Presidentit Biden, e cila filloi rënien e rritjes dyshifrore ekonomike të Kinës, rënie kjo e cila tanimë s’ka të ndalur.

Hapi tjetër i SHBA-së në Indo-Pacifik do të jetë fuqizimi i mëtejmë i aleancave dhe raporteve ekonomike, politike dhe ushtarake në Azi Jugore, Lindore dhe Juglindore për ta rrethuar Kinën që të mos dalë e lirë në Indo-Pacifik. Ky fuqizim përfshin kryesisht këto shtete: Pakistanin, Indinë, Azinë Juglindore, Tajvanin, Korenë Jugore, Japoninë dhe Australinë. Ndërkohë, Kina synon ta çajë këtë rrethim pikërisht në Tajvan, gjersa ky i fundit do të mbështetet fuqishëm nga shtetet lartpërmendura dhe SHBA.

Pra, duke qenë që interesi i SHBA-së do të jetë tash e tutje në Azi, atëherë fitorja e republikanëve me në krye Presidentin Trump shihet si punë e kryer. Dhe duke qenë se qendër gravitacionale e zhvillimit global do të jetë Azia, atëherë me shumë gjasë do të shohim disa mandate presidentësh të SHBA-së ku fitues do të mund të jenë republikanët.

Të ngjashme