Zgjedhja e drejtorit të ri të burgjeve të Kosovës nuk duket aspak punë e lehtë për Ministrinë e Drejtësisë, raporton KTV.
Në konkursin tashmë të anuluar, asnjë prej kandidatëve nuk i ka plotësuar kriteret për këtë pozitë.
Të paktën kështu është thënë në një komunikim për media të Ministrisë së Drejtësisë. Vonesa të tilla sipas njohësve të çështjeve të drejtësisë, tregojnë joseriozitetin e institucioneve publike.
E pas anulimit të konkursit, për shkak të mospërmbushjes së kritereve të asnjërit prej kandidatëve, nga kjo ministri është larguar Rrahim Rama, i cili ishte ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie.
I njëjti ishte kryetar i Komisionit Vlerësues për zgjedhjen e kandidatit për drejtor të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Në Ministri të Drejtësisë, kanë thënë se Rrahim Rama ka kërkuar pushim vjetor dhe se një kërkesë e tillë i është aprovuar.
Ndërkaq, Shërbimi Korrektues i Kosovës tash e sa kohë është me ushtrues të detyrës së drejtorit të përgjithshëm.