Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, përfaqësuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Institutit Gjyqësor të Kosovës kanë raportuar për punën e tyre një vjeçare si dhe i kanë paraqitur kërkesat e tyre.
Përfaqësuesi i KQZ-së, Enis Halimi, tha se punonjësit e këtij institucioni, janë të diskriminuar me paga në raport me institucionet tjera.
“Stafi i sekretariatit të KQZ, është i diskriminuar sa i përket pagave në raport me institucionet tjera që rregullohen me të njëjtin kapitull të Kushtetutës. Ne kemi të lejuara 88 pozita, ndërsa buxheti për paga për vitin 2017 është 707 mijë euro. Mesatarja i bie 670 euro për person”, ka pohuar ai.
Ndër tjerash ai u shpreh se objekti në të cilin qëndron ky institucion, nuk i plotëson kushtet, pasi sipas tij, objekti është i vogël krahasuar me numrin që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Për më tepër para disa muajsh kemi marrë një shkresë prej gjykatës që toka ku gjendet objekti është kontekst gjyqësor. Pra, neve nuk mund të funksionojmë në mënyrë të duhur pa një objekt të mirëfilltë”, tha Halimi.
Ndërsa në raportin e tij para komisionit, Sekretari i ministrisë së Drejtësisë, Eset Rama, tha se kanë përcjellë kërkesat në bazë të qarkoreve në ministrinë e Financave dhe Qeveri, për përfshirje në buxhetin e vitit 2017, Kompensimin e Viktimave të Krimit, në vlerë rreth 550 mijë euro.
Kërkesë tjetër e kësaj ministri është edhe rritja e buxhetit për funksionalizimin e burgut të Sigurisë së Lartë dhe për rritjen e stafit.