Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë protestuar para Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me bllokimin e llogarive bankare dhe zhvatjes së Postë Telekomit të Kosovës, siç thonë ata, raporton Ekonomia Online.
Lami Balaj nga Federata e Sindikatave të Pavarura të Postë Telekomit të Kosovës tha se vazhdimisht kanë bërë denoncime për kontratat e dëmshme dhe faktorët që kanë ndikuar në gjendjen aktuale të kompanisë.
Madje sipas tij denoncime këto që i kanë bërë në Prokurorinë e Shtetit dhe përmes medieve.
Sipas tij, kompania Dardafon, ish-Zmobile, i ka shkaktuar humbje Telekomit mbi 200 milionë euro.
“Me datën 26 tetor për herën e dytë, Telekomit të Kosovës i janë bllokuar llogaritë bankare”.
“Bllokimi i dytë brenda 3 muajve dhe tërheqja e mjeteve financiare, ka rrezikuar operimin e kompanisë dhe mirëqenien e punëtoreve”.
Balaj, ka thënë se kjo protestë është për fajin e Qeverisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, për fajin e tyre, ndërmarrja e Telekomit është në këtë gjendje dhe punëtorët e saj kanë mbetur në mëshirën e fatit.
“Në çdo moment janë duke u rrezikuar rreth 1 milion konsumator. Ne kemi mbi 400 kontrata me persona fizik e juridik që antenat i kanë të vendosura në pronat e tyre. Qeveritarët tanë kanë rënë në gjumë të thellë dhe nuk po e dinë rëndësinë vitale të kësaj ndërmarrjeje”.
Ai ka thënë se ky është aseti më i rëndësishëm në Republikën e Kosovës.
Balaj thotë se edhe Komisioni Hetimor për Telekomin është bërë vetëm që deputetet të marrin mëditje.
Ai ka thënë se do të ketë protesta të vazhdueshme deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Nexhat Llumnica, tha se punëtorët e Telekomit s’kanë marrë pagë që 2 muaj. Ai tha se PTK-ja është në gjendje të rëndë dhe kjo si pasojë e neglizhencës së Qeverisë.
“Që 2 muaj nuk janë paguar punëtoret dhe nuk ka shpresë të paguhen nëse nuk zhbllokohen llogaritë e Telekomit”, tha ai.
Ndërsa, Hasan Berisha punëtor sigurimit njësia e telekomit thotë se ata kanë mbetur pa paga.
“Që 1 muaj s’kemi marrë paga. Marrëveshja ka qenë me sindikatën e telekomit se do ta marrin përsipër gjendjen, por nuk janë përgjigjur. Për momentin Qeveria s’ka marrë asgjë”, tha ai.