Punëtorët teknikë iu japin institucioneve afat edhe një javë për ngritjen e pagave

Ilustrim
Prishtinë | 26 Nën 2019 | 08:22 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse ishte paralajmëruar se punëtorët teknikë dhe të sigurimit të Universitetit të Prishtinës, të Qendrës së Studentëve, të disa shkollave që menaxhohen nga Komuna e Prishtinës dhe ata të qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, do të hyjnë këtë javë në grevë të përgjithshme, kjo është shtyrë për javën tjetër.

Udhëheqësi i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar për gazetën se kanë vendosur që Komunës, Rektoratit dhe Qendrës së Studentëve t’u japin edhe një javë afat “për të reflektuar” ndaj kërkesave të punëtorëve. Shtyrjen e grevës, sipas tij, e kanë bërë edhe për shkak se këtë javë është festa e flamurit, shkruan sot Koha Ditore.

Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit të Universitetit të Prishtinës, të Qendrës së Studentëve, të disa shkollave që menaxhohen nga Komuna e Prishtinës dhe ata të qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë po kërkojnë që nga 1 janari i vitit të ardhshëm të kenë pagë mujore 350 euro. Aktualisht paga minimale e tyre sillet nga 230 deri në 250 euro. Të martën dhe të mërkurën e javës së kaluar ata kanë mbajtur grevë njëorëshe dhe e kanë bojkotuar punën.

Udhëheqësi i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se afati i fundit kur do të presin për një përgjigje nga Rektorati, nga Qendra e Studentëve dhe nga Komuna e Prishtinës është data 3 dhjetor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme