Rikonstruimi i platesë mbi “Kurriz”, i nisur tre vjet më parë, ende nuk ka përfunduar. Megjithëse ishte paraparë që punimet të mbarojnë për 180 ditë, kjo nuk ka ndodhur.
Më 18 prill të këtij viti, sipas shkresës së zyrtarit të lartë për ndërtim urban, Zyra e Prokurimit është njoftuar për ndërprerjen e aktivitetit në terren të kompanisë punëkryese ShPK “Rexha”, me qëllim që të bëhet vlerësimi i punimeve të paparapara dhe punimeve të kryera deri tashti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me këtë shkresë i është kërkuar Zyrës së Prokurimit ndërprerja e kontratës. Aty përmendet se punimet i ka ndërprerë operatori me arsyetimin se është tejkaluar shuma e vlerës së kontraktuar të projektit. Në shkresën e Komunës, si konkluzion janë përmendur neglizhenca dhe mungesa e vullnetit të punëkryesit për përfundimin e disa punimeve.
pavarësisht kësaj nuk është dhënë asnjë afat kohor se kur mund të përfundojë vlerësimi për punimet e bëra nga kjo kompani. As tre muaj pas, Komuna nuk e ka të gatshëm raportin vlerësues, teksa punimet kanë ngecur.
Kjo zvarritje ka nxitur reagimin e banorëve. Kryetari i Bashkësisë Lokale të lagjes “Dardania”, Safet Kamberaj, ka thënë se me gjithë ankesat dhe peticionet që janë bërë nga ana e qytetarëve, Komuna nuk ka reaguar.
I tërë projekti për platenë mbi “Kurriz” ka kosto prej 977 mijë eurosh.