Pushteti po i trajton aktivistët me njësite anti – terror pa asnjë fakt

Prishtinë | 30 Gus 2016 | 16:17 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se Policia e Kosovës po i quan terroristë aktivistët e saj, pa pasur asnjë fakt.

Kjo lëvizje, është shprehur se me këtë epitet, ky institucion i shtetit nuk i ka quajtur as strukturat paralele të Serbisë dhe se zyrtarët policorë, nuk kanë ofruar asnjë argument në konferencën për media që mbajtën të martën, ku treguan pse i arrestuan aktivistët e Lëvizjes.

“Kjo polici e cila në konferencën për shtyp nuk ofroi asnjë argument për veprat të cilat i ka akuzuar dhe arrestuar aktivistët, angazhoi kundër tyre njësitet dhe drejtorinë anti-terror. Është hera e dytë që këto njësite anti-terror angazhohen kundër opozitës. Hera e parë ka qenë kur u bastisën zyrat e Lëvizjes, gjë për të cilën institucionet e policisë janë dënuar edhe nga organizatat ndërkombëtare si Amnesty International etj”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Sipas vetëvendosjes, termi terrorist iu është veshur vetëm aktivistëve të saj, por jo edhe aktit të sulmit në Kuvend, ngase ishte cilësuar vetëm si “atak ndaj institucionit”.

“Kur kishte ndodhur sulmi në drejtim të Kuvendit të Kosovës dhe kur ende nuk kishte të dyshuar, Policia këtë nuk e kishte quajtur akt terrorist, por vetëm ‘sulm me mjet shpërthyes’. Tash, që ka vendosur ta bëjë fajtore Lëvizjen Vetëvendosje e përdori edhe këtë fjalë si armë përbaltëse”.

Kjo lëvizje ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të saj, për të cilët ka deklaruar se nuk kanë dorë në sulmin mbi Kuvendin.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme