Zgjedhjet lokale kanë prodhuar ndryshim të hartës elektorale në garën për kryetar, por edhe për votën nacionale të partive. Edhe pse distanca mes zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale ishte vetëm katër muaj, pati lëvizje të votës popullore.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, LDK- ja në nivel vendi është subjekti i parë me rreth 210 mijë vota. Pas saj renditet PDK-ja me rreth 149 mijë vota, Lëvizja Vetëvendosje me rreth 140 mijë, AAK-ja me 100 mijë, AKR-ja me 28 mijë, Nisma me 26 mijë, ndërsa Alternativa arriti të merrte rreth 9 mijë vota, shkruan sot “Koha Ditore”.
Krahasuar me zgjedhjet nacionale, PDK-ja ka ruajtur votën në nivel vendi derisa ka humbur komuna që njiheshin si bastione të saj. Në zgjedhjet e 2013-s, PDK-ja kishte fituar në rrethin e parë në katër komuna, derisa të dielën me të parën fitoi vetëm Drenasin.
Ndërkaq, në zgjedhjet e qershorit, Partia që drejtohet nga Kadri Veseli kishte garuar në koalicion me AAK-Nisma dhe dhjetë subjekte të tjera, të cilët bashkërisht arritën 240 mijë vota. Në zgjedhjet e së dielës PDK-ja ka fituar 148 mijë vota. Partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK-ja ka mbetur në kuotën e 100 mijë votave apo 11.24 për qind.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur t’i ruajë të gjitha votat e zgjedhjeve të 11 qershorit. Nga numërimi i mbi 90 për qind të votave, VV-ja për katër muaj ka humbur 60 mijë sosh.