Teksa në Evropë ende vazhdojnë efektet e sulmeve terroriste, ndarjes së Britanisë (Brexit) nga Bashkimi Evropian (BE) dhe krizës së refugjatëve, pesë shtete do të shkojnë në zgjedhje në këtë kontinent gjatë muajit qershor, shkruan Anadolu Agency (AA).
Pas zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në Britani më 8 qershor nën hijen e debatit mbi Brexitin, zgjedhjet parlamentare në Francë do ta testojnë forcën e presidentit të ri Emmanuel Macron.
Nga ana tjetër, zgjedhjet lokale në Itali pritet të japin një tablo rreth zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen vitin e ardhshëm. Ndërkaq, zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë dhe Shqipëri pritet t’i japin fund mosmarrëveshjeve politike në këto vende.
Zgjedhjet e përgjithshme në Britani më 8 qershor
Zgjedhjet e përgjithshme në Britani, që në afat normal do të mbaheshin në maj të vitit 2020, u caktuan për më 8 qershor pas vendimit të kryeministres Theresa May për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. May kishte theksuar se vendimi për zgjedhje të parakohshme është marrë për të siguruar “stabilitet dhe unitet” në negociatat për Brexit që zhvillohen me BE-në.
Siç vërehet, liderët e partive politike po përpiqen të ndikojnë tek elektorati me deklarata mbi Brexitin, duke theksuar se në zgjedhje do të votohet “e ardhmja e Britanisë pas Brexitit”.
Në mesin e partive kryesore që zënë vend në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, që përbëhet nga Anglia, Uellsi, Skocia dhe Irlanda e Veriut, janë Partia Konservatore e kryeministres May, Partia Laburiste e Jeremy Corbyn, Partia e Liberal Demokratëve e Tim Farron, Partia e Pavarësisë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) e Paul Nutall dhe Partia Nacionale Skoceze e Nicola Sturgeon.
Zgjedhjet parlamentare në Francë
Zgjedhjet parlamentare në Francë që do të mbahen në dy raunde, më 11 dhe 18 qershor, do të kenë cilësinë e një testi për presidentin e ri Emmanuel Macron. Macron synon të sigurojë shumicën dhe në këtë mënyrë të formojë qeverinë.
Qytetarët francezë do të votojnë për zgjedhjen e 577 deputetëve të që do të zënë vendet në Kuvendin Nacional.
Lëvizja Marshi Republikan, nga e cila Macron kishte dhënë dorëheqjen pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, do të kandidojë me 428 kandidatë.
Anketat kanë treguar se Lëvizja Marshi Republikan do të fitojë mbi 289 ulëse, që paraqet pragun e shumicës së ulëseve në kuvend. Sipas anketave, pas saj do të radhiten Partia e Republikanëve (LR) me 140 deri në 160 ulëse dhe Partia Socialiste (PS) me 25 deri në 30 ulëse. Ndërkaq, Fronti Nacional, parti e ekstremit të djathtë, pritet të përfaqësohet vetëm nga 10 deri në 15 deputetë.
Në raundin e parë të garës, të drejtën për të hyrë drejtpërdrejt në kuvend do ta fitojnë ata kandidatë që marrin të paktën 50 përqind të votave, kurse ata që nuk e arrijnë 50 përqindëshin, do të garojnë në raundin e dytë. Në raundin e dytë më 18 qershor kualifikohen vetëm kandidatët që marrin mbi 12,5 përqind të votave në raundin e parë, kurse në këtë raund zgjidhen ata që fitojnë numrin më të madh të votave.
Zgjedhjet e pjesshme lokale në Itali
Përveç francezëve, edhe italianët do të votojnë për zgjedhjen e përfaqësuesve lokal të afër një mijë qytezave dhe qyteteve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme, në zgjedhjet e pjesshme lokale të drejtë vote kanë 9.208.000 votues.
Në zgjedhjet lokale në Itali, në qoftë se kandidatët për kryetar bashkie nuk sigurojnë të paktën 50 përqind të votave, atëherë gara vazhdon në raundin e dytë më 25 qershor, ku garojnë kandidatët që fitojnë numrin më të madh të votave në raundin e parë.
Edhe pse janë të një shkalle më të vogël, këto zgjedhje cilësohen si test i rëndësishëm para zgjedhjeve të përgjithshme që planifikohet të mbahen në Itali në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Zgjedhjet në Kosovë dhe Shqipëri
Qytetarët e Kosovës do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme më 11 qershor, pasi paraprakisht në muajin maj u bë rrëzimi i qeverisë.
Të drejtë vote kanë 1.872.941 votues të regjistruar. Në zgjedhje do të garojnë 19 parti politike, pesë koalicione parazgjedhore dhe dy iniciativa qytetare. Fushata zgjedhore e partive ka filluar më 31 mars. Subjektet politike, prej të cilave disa do të garojnë të vetme e disa të tjera në koalicion, në kuadër të fushatës takohen me elektoratin në tërë vendin për ta shpalosur programin e tyre katërvjeçar.
Sipas anketave, si subjekt më i parapëlqyer i elektoratit më tepër spikat koalicioni i formuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA për Kosovën.
Ndërkohë, zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri do të mbahen më 25 qershor (paraprakisht ishin caktuar për më 18 qershor), pas marrëveshjes e cila u arrit në muajin maj mes kryeministrit të Shqipërisë dhe njëherësh kryetar i Partisë Socialiste (PS) në pushtet, Edi Rama, dhe kreut të opozitës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në zgjedhje do të garojnë 18 parti politike, fushata elektorale e të cilave zyrtarisht ka filluar më 25 maj. Anketat tregojnë se subjekt më i favorizuar në mesin e elektoratit është partia në pushtet, Partia Socialiste.