Hoxhaj: Në këtë 28 Nëntor, krerët e UÇK-së po akuzohen e po mbahen të mbyllur padrejtësisht

Prishtinë | 28 Nën 2020 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka njoftuar se bashkë me anëtarë të tjerë të kësaj partie, kanë bërë homazhe në Prekaz, për nder të Ditës së Flamurit.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka thënë se ky nëntor është i rëndë për çdo qytetar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni Veriore e kudo që gjenden në botë, duke aluduar për mungesën e ish krerëve të UÇK’së.

“Në këtë 28 Nëntor, ata po akuzohen e po mbahen të mbyllur padrejtësisht, sepse lufta e tyre, lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe asgjë e askush nuk mund ta njollosë atë. Kjo ngjarje ka lënduar çdo shqiptar dhe prandaj ftoj secilin që hidhërimin ta shndërrojmë në forcë dhe lëndimin në vullnet për ta bërë Kosovën dhe PDK-në më të fortë, më stabile dhe të zhvilluar”, ka shkruar Hoxhaj.

Postimi i plotë:

Të gjithë shqiptarët anë e kënd botës sot nderojnë 28 Nëntorin e Skënderbeut, 28 Nëntorin e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, 28 Nëntorin e UÇK-së dhe Adem Jasharit.

Në Prekaz, me anëtarë të Kryesisë së PDK-së, me anëtarë të Grupit Parlamentar dhe kryetarë të Degëve të PDK-së, shënuam ditën më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.

28 Nëntori është ngjarja më sublime e rrugëtimit tonë në histori, e ngritjes tonë si komb shqiptar dhe si popull në Kosovë! Është simbol i krenarisë sonë dhe i besimit tonë duke përmbushur arritjet tona historike!

Ky nëntor është i rëndë për çdo qytetar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni Veriore e kudo që gjenden në botë. Ky 108 vjetor, na gjeti pa udhëheqësit kryesorë të luftës për lirinë e Kosovës. Pa presidentin Hashim Thaçi, kryetarin Kadri Veseli, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Sali Mustafën.

Në këtë 28 Nëntor, ata po akuzohen e po mbahen të mbyllur padrejtësisht, sepse lufta e tyre, lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe asgjë e askush nuk mund ta njollosë atë. Kjo ngjarje ka lënduar çdo shqiptar dhe prandaj ftoj secilin që hidhërimin ta shndërrojmë në forcë dhe lëndimin në vullnet për ta bërë Kosovën dhe PDK-në më të fortë, më stabile dhe të zhvilluar!

Kjo datë është sinonim i qëndresës dhe sakrificave për unifikimin tonë njerëzor e kombëtar!

Urime të gjithëve kjo ditë e madhe!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme