Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se të drejtat e njeriut janë më tepër se liri të garantuara, duke përmendur miratimin e programit për të për të drejtat e njeriut 2021-2025, shkruan EkonomiaOnline.
Tutje Kurti deklaron se me hartimin e programit për të drejtat e njeriut, në mënyrë vullnetare shteti i Kosovës tashmë është bërë pjesë e përpjekjeve globale që ka marrë përsipër të gjitha obligimet e nevojshme për të kontribuar në zbatimin e rezolutës 70/1.
“Programi ynë synon të arrijë barazinë para ligjit, krijimin e një sistemi të qëndrueshëm institucional. Për Qeverinë Kurti të drejtat e njeriut janë më tepër se liri të garantuara. Pra ne besojmë në universalitetin e njerëzve”, shprehet Kurti, duke u zotuar se do t’ju ndihmojë të gjithëve me vëmendje të veçantë që të rritet vetëdija për pakicat.
Marigona Shabiu, Drejtore Ekzekutive e YIHR kujton të gjitha gratë e vrara.
Ajo kërkoi nga kryeministri Kurti që të zotohet e t’i ketë në fokus të drejtat e komunitetit LGBT, e komunitetit rom, ashkali e egjiptian.
“Të miratohen në kuadër të Kodit Civil edhe martesat e gjinisë së njëjtë”, kërkon Shabiu.
Tutje ajo tha se janë të gatshëm për bashkëpunim me institucione e se lufta e aktivizmi i tyre do të vazhdojë gjatë gjithë vitit, për një shoqëri më të drejtë e më të barabartë.
Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë tha se Ministria e Drejtësisë thotë se për shkak të problemeve në sistemin e drejtësisë, qytetarët kanë humbur besimin.
“Unë jam jashtëzakonisht e shqetësuar. Në takimet që kemi me qytetarë ata më njoftojnë për vonesat”, deklaron Haxhiu.
Ajo bën të ditur se janë duke punuar me ndihmën juridike për personat e dhunës në familje e në bazë gjinore.
“Nuk kemi kohë për të humbur, nuk kemi gra që dikush t’i konsideroj si pronë të tyre. E di që kemi shumë probleme, por e kemi vullnetin e hekurt për t’i adresuar problemet”, deklaroi Haxhiu.
Këto komente u bënë në konferencën “Përgjegjësia Institucionale për të Drejtat e Njeriut” të organizuar nga Youth Initiative for Human Rights Kosovo.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në hapje të konferencës “Përgjegjësia Institucionale për të Drejtat e Njeriut”:
E nderuar Drejtore Ekzekutive në Youth Intiative for Human Right në Kosovë, znj. Marigona Shabiu,
E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuar Drejtor i Programit të Byrosë për çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Shawn Waddoups,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe organizatave civile,
Të nderuar të pranishëm,
Mirë se ju gjej në këtë konferencë e cila na mundëson edhe njëherë të theksojmë përgjegjësinë që kanë institucionet në ruajtjen, garantimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
“Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, ndër to janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë.” Janë këto fjalët që u shkruan në deklaratën e pavarësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 4 korrik të vitit 1776, e të cilat më vonë gjejnë shprehje në nenin e parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, e aprovuar me 10 dhjetor të vitit 1948 .
Liria, demokracia dhe zbatimi e garantimi i të drejtave të njeriut janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ndërtimi i një shteti me institucione demokratike funksionale është mënyra se si në demokraci materializohen të drejtat dhe liritë tona, të cilat janë bazë e një shoqërie demokratike. Ashtu siç janë të definuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës e në dokumentet ndërkombëtare të aplikueshme drejtpërdrejt në shtetin e Kosovës, këto të drejta duhen zbatuar. Për këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë e ka miratuar Programin për të Drejtat e Njeriut 2021-2025, duke synuar zhvillimin socio-ekonomik të bazuar mbi largimin e pengesave ndaj përmbushjes së të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë atyre ekonomike, që do të ndihmojnë qytetarin të punojë, konsumojë, kursejë dhe të jetojë me dinjitet e në paqe.
Përderisa nga qeveria kërkohet në mënyrë aktive të hartojë strategji dhe të përcaktojë politika në drejtim të përmbushjes së normave kushtetuese, është obligim i gjyqësorit të sigurojë respektim të atyre. Rrjedhimisht, sinergjia ndërmjet pushteteve duhet të sigurojë atë që veç duhet trajtuar si aksiomë: respektimin dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Lidhur me këtë, Qeveria ka afirmuar përkushtimin e saj të plotë për përmbushjen e Agjendës së Kombeve të Bashkuara – 2030.
Me hartimin e Programit për të Drejtat e Njeriut, tashmë në mënyrë vullnetare, shteti i Kosovës është bërë pjesë e përpjekjeve globale që të marrë përsipër të gjitha obligimet e nevojshme për të kontribuar në zbatimin e Rezolutës 70/1 “Transformimi i botës sonë: Agjenda 2030 për zhvillim të qëndrueshëm“. Në këtë program janë të përfshira disa objektiva si:
– Përmirësimi i qeverisjes, transparencës, koordinimit institucional dhe i llogaridhënies brenda institucioneve publike për të realizuar më tej të drejtat e njeriut;
– Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut;
– Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe promovimi i mirëqenies për të gjithë e
– Lehtësimi i qasjes në sistemin e drejtësisë.
Programi ynë synon të arrijë: barazinë para ligjit, respektimin dhe zbatimin në plotni të të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve shtetërore dhe mbrojtjen nga shkelja e të drejtave të njeriut nga të tjerët, krijimin e një sistemi të qëndrueshëm institucional i cili do t’i lejojë zbatimin e të drejtave të tyre në praktikë si dhe informimin adekuat të popullsisë për të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë, ligje dhe instrumente ndërkombëtare.
Kemi një sërë programesh dhe strategjish që avancojnë të drejtat e njeriut dhe zbatimin e tyre, sikurse:
– Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024,
– Strategjia Sektoriale e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale 2018-2022, e cila synon të rrisë punësimin dhe përmirësojë e të rrisë mirëqenien sociale për grupet e rrezikuara,
– Strategjia Kombëtare për të drejtat pronësore në Kosovë dhe
– Strategjia Nacionale për Mbrojtje nga Dhuna në Familje 2016-2020, por sigurisht që edhe të tjera, të këtilla.
Megjithatë, sado të avancuara të jenë ligjet tona, sado të pavarura e profesionale të jenë institucionet e gjykatat tona, demokracia kërkon çdoherë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve.
Ne vërtetë mund të flasim për liri të plotë nëse arrijmë të lirohemi nga ajo që ish Presidenti amerikan Rosevelt në vitin 1941 e quajti “freedom from fear and freedom from want” apo liri nga frika dhe nga ajo që na duhet e që na mungon – jo vetëm liri nga frika. Pra një lloj garancie për siguri njerëzore e jo vetëm siguri fizike. Sepse pas sigurisë së pavarësisë, sovranitetit e paprekshmërisë territoriale nga shtetet e huaja, na duhet mbrojtja e të drejtave civile për t’u mbrojtur nga shtypja nga brenda dhe mbrojtja e të drejtave ekonomike për të garantuar nevojat elementare. Të drejtat civile na garantojnë lirinë e shprehjes e të mediave të lira, liritë fetare e politike e të tjera që garantojnë që askush të mos persekutohet, kërcënohet apo sulmohet, vetëm pse shpreh mendimin e saj apo të tij dhe merr pjesë aktivisht në politikë.
Për qeverinë tonë, dhe orientimin tonë social demokratik, të drejtat e njeriut janë më tepër se sa liri të garantuara. Njëjtë sikurse liria që kërkon institucione demokratike për ta materializuar atë, edhe të drejtat e njeriut kërkojnë edhe të drejta ekonomike për t’i jetësuar ato. Janë këto të drejta bazike sikurse e drejta për banim, edukim, shëndetësi dhe punësim.
Të drejtat në vetvete nuk janë të mjaftueshme nëse ekonomia nuk ofron mundësi për të gjithë. Progresin tonë shoqëror e shohim të ndërlidhur ngushtë me progresin e vazhdueshëm të qytetarëve tanë pa dallim, e për ta arritur këtë duhet që të gjithëve t’u hapen rrugët e mundësive. E ne besojmë fuqishëm që shteti ka një rol për të luajtur në këtë drejtim. Prandaj edhe kemi filluar me shtesat për lehonat dhe fëmijët, dhe kemi bërë edukimin falas për të gjithë, përfshirë edhe nivelin më të lartë arsimor, atë universitar, meqenëse e drejta për edukim është e tillë vetëm kur ajo është e barabartë për të gjithë, dhe ne e dimë që pabarazia e krijuar me vite, ekziston në vendin tonë, njësoj siç jemi të vetëdijshëm për të ardhurat e vogla dhe varfëria e madhe që ekziston tek një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve tanë.
Pra, ne besojmë në universalitetin e njerëzve dhe nga ky universalitet buron barazia midis tyre, në trajtimin e tyre dhe mundësitë e tyre. Ne mund të kemi dallime e diferenca por ato kurrë nuk do të jenë ato që do të na ndajnë, përkundrazi ajo që edhe më shumë do të na bashkojë, për shkak se e përbashkëta është pikënisja dhe pikëmbërritja e një shoqërie demokratike.
Pra liri, të drejta dhe krijim të mundësive për t’i realizuar këto. Ne e shohim rolin e shtetit në ekonomi prezent deri në atë masë dhe në atë mënyrë sa të sigurojë që askush nuk e merr ligjin në duar, dhe askush nuk përdor mundësinë për t’u pasuruar e krijuar kapital në një treg të lirë si mundësi për të krijuar rregulla të lojës ashtu që të rritet hendeku i pabarazisë.
Shteti është rregullator. Tregu i lirë i cili ka mundësuar rritjen e pasurisë në vendet demokratike dhe ka nxjerrë miliarda njerëz nga varfëria në mbarë botën është vetëm falë paqes dhe lirive për të cilat ka kontribuar secili qytetar, andaj progresi duhet të ndahet në mënyrë që liria dhe të drejtat të mundësojnë mirëqenie për qytetarët.
Qeveria e Kosovës do t’i përmbushë detyrimet që dalin nga njohja e çdo të drejte universale të njeriut, në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim. Do të ju ndihmojmë të gjithëve, e konsiderojmë njësoj secilin dhe gjithashtu me vëmendje të veçantë që të rritet vetëdija për pakicat të të gjitha llojeve, të përmirësohet pozita e secilës kategori shoqërore dhe në veçanti e kemi shpallur vitin 2022 “Viti personave me aftësi të kufizuara’’.
Ne do të kemi parasysh promovimin, respektimin dhe garantimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e pakicave në vendimet dhe punën e tonë për çdo ditë e në çdo vendim. Sepse ne jemi të përkushtuar që të drejtat e njeriut të avancojnë në shtetin tonë dhe respektimi i tyre të bëhet plotësisht.