Bazuar në Ligjin e zgjedhjeve të Kosovës, të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët janë emëruar në poste të ndryshme në dikasteret e Qeverisë së Kosovës, janë të obliguar të heqin dorë nga mandati i deputetit, konfirmojnë zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendet e deputetëve që heqin dorë nga mandati i deputetit, për shkak të emërimeve në postet udhëheqëse në ekzekutiv, zëvendësohen me deputetët tjerë, gjithmonë sipas dispozitave që dalin nga Ligji për zgjedhjet i Kosovës.
“Çështja e zëvendësimit të anëtarëve të Kuvendit, është e qartësuar me Ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës. Për këtë çështje flitet në nenin 112 të këtij ligji. Një anëtar i Kuvendit të Kosovës, mandati i të cilit përfundon në pajtim me nenin 112, pika 1, zëvendësohet nga kandidati i ligjshëm në radhë, i së njëjtës gjini, i cili ka fituar numrin më të madh të votave të listës së riorganizuar të kandidatëve të subjektit politik, në emër të së cilës ka garuar anëtari”, thotë Elezi.
Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon situatën duke thënë se mandati i deputetëve përfundon që në momentin që ata zgjidhen anëtar të kabinetit qeveritar.
“Të njëjtit tani duhet të zëvendësohen nga kandidatë të tjerë, të cilët kanë qenë brenda listave të njëjta, pavarësisht nëse ata kanë kaluar në taborë të tjerë politikë pas certifikimit të zgjedhjeve. Për bazë merret ajo listë, në të cilën kanë garuar këta deputetë. Pra, nuk do të thotë që një deputet i AKR-së që e ka humbur mandatin, se ai duhet të zëvendësohet me një deputet të AKR-së, por me atë deputet, i cili është në radhë në listën e pritjes, pavarësisht partisë politike, me të cilën ka garuar”.
“Merret për bazë vetëm ai koalicion zgjedhor, me të cilin kanë garuar në zgjedhje. Pra, nuk do të thotë që një deputet i AAK-së të zëvendësohet me një deputet të AAK-së, sepse ata njihen të gjithë si deputetë të koalicionit PAN”, thekson Krasniqi.
Ai thotë se në këtë situatë dobësohet fuqia e zërit të subjekteve politike veç e veç, të cilat kanë numër të vogël të ulëseve në Kuvendin e Kosovës dhe në anën tjetër, fuqizohet zëri i subjekteve politike me numër më të madh të ulëseve në Kuvend, pavarësisht koalicionit parazgjedhor, me të cilin kanë garuar.
Shembuj të tillë në këtë rast janë zgjedhja në postin e kryeministrit të Ramush Haradinajt, si dhe Pal Lekajt si ministër, të cilët nuk do të zëvendësohen detyrimisht nga ndonjë kandidat në pritje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, së cilës i takojnë ata.
Në anën tjetër, emërimi i Behgjet Pacollit në postin e zëvendëskryeministrit dhe në atë të ministrit të Punëve të Jashtme, ka lënë hapësirën që ai të zëvendësohet nga ndonjë kandidat në pritje nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për faktin se Aleanca Kosova e Re, lider i së cilës është Pacolli, kishte garuar në zgjedhje si partner i koalicionit parazgjedhor me LDK-në dhe Alternativën.
Krasniqi shpreh mendimin se partitë politike i kanë paraparë situatat e tilla, që nga momenti i krijimit të koalicioneve parazgjedhore.
“Partitë politike, në momentin që kanë pranuar të hyjnë në koalicione zgjedhore, kanë marrë për bazë edhe rreziqet dhe përparësitë që kanë mundur t’u dalin në këtë rast. Kjo për shkak se kanë përparësitë dhe mangësitë. Ka parti politike, të cilat kanë marrë më shumë ulëse në Kuvend se sa që kanë fuqi elektorale. Njëjtë, tani ka parti që mund të dëmtohen për shkak të fitimit të pozitave në ekzekutiv”, shpjegon Krasniqi.
Ai shton se Ligji për detyrat dhe përgjegjësitë e deputetëve, i cili ka paraparë që deputetët që zgjidhen në pozita në ekzekutiv, të japin dorëheqje nga mandati i tyre i deputetit, është mjaft pozitiv, për faktin se e parandalon konfliktin e interesit që një deputet të gëzojë postet në ekzekutiv edhe në legjislativ.