Kosova është duke u përballur me krizë ekonomike. Krahas shtrenjtimit enorm të energjisë elektrike, barrë e rëndë për qytetarët është edhe rritja e çmimeve të disa produkteve të konsumit, thonë për Ekonomia Online njohës të çështjeve ekonomike.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thonë se në këtë kohë qytetarët kanë nevojë për zgjatjen e dorës nga shteti.
Gërxhaliu ka thënë se Kosova nuk ka qenë e përgatitur për një krizë të tillë.
Ai theksoi se zhvillimin ekonomik, tash sa kohë, e kanë ngulfatur çështjet e pazgjidhura politike, përfshirë negociatat me Serbinë. Sipas tij, është koha kur në pozita kyç duhet të vinë njerëz të dijes dhe jo njerëz të partive politike.
“Kemi rekomanduar dhe kemi alarmuar që pas pandemisë Covid-19, Kosova do të ballafaqohet sikurse bota, me një pandemi ekonomike”. Ndryshe nga shumica e vendeve, sipas Gërxhaliut, Kosova nuk ka qenë e përgatitur aq sa duhet që t’i bëjë ballë një presioni të kësaj krize.
“Kemi rritje të çmimeve të produkteve strategjike, duke filluar nga energjia, gazi, metalet e ndryshme, dhe krijohet një indeks zinxhiror që shtrenjton koston edhe të produkteve të tjera që prodhohen në Kosovë apo importohen”.
“Kosova është një shoqëri që në vitin 2021 ka importuar mallra në vlerë prej 4 miliard e 700 milionë euro. Me këtë rast, ka importuar një inflacion i cili vërtet është duke i minimizuar efektet pozitive të rritjes ekonomike të këtij viti”.
Prandaj Gërxhaliu thekson se Qeveria duhet të bisedojë me bizneset, sindikatat dhe qytetarët dhe të ndihmojë që të tejkalohet kjo krizë.
“Këto vitet e fundit kemi pasur dështime të shumta pasojat e së cilave po i bartim sot, por do t’i bartin edhe gjeneratat e tjera. Për këtë arsye na duhet mobilizim dhe përkushtim për vlerat, një ekonomi e dijes, e cila bazohet në resurset natyrore të Kosovës dhe të ndërpritet avazi i vjetër i eksportimit të parasë së gatshme”.
Sipas tij, Kosova mund të bëhet një fuqi ekonomike, e cila nuk është e varur nga importi, por një shtet që eksporton edhe dijeni edhe ekspertizë, mallra dhe shërbime. “Mirëqenia ekonomike duhet të jetë një ndër prioritetet kryesore”.
Ndërsa, shqetësuese sipas tij mbetet rritja e shpesh e çmimit të naftës. Ai thekson se në Kosovë ndodh shumë shpejt ngritja e çmimit të naftës, dhe shumë pak ulja kur ulet në bursat ndërkombëtare.
“Edhe në takimin e fundit që është mbajtur, të gjitha vendet e OPEK-ut dhe të botës arabe janë pajtuar se do t’i prodhojnë 99,7 milionë barelë naftë dhe për çdo ditë të minimizohet ky disbalanc mes ofertës dhe kërkesës. Por vetë fakti që kemi këtë situatë mes Ukrainës dhe Rusisë dhe Rusia e furnizon Evropën me 35 për qind gaz dhe 35 për qind naftë po e sfidon botën me çmime të larta, sepse këto produkte po përdoren edhe për qëllime gjeostrategjike”.
E kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thotë për Ekonomia Online se Kosova nuk ka strategji zhvillimore dhe energjetikë për të tejkaluar krizën.
Ai thekson se deri para shtrenjtimit të rrymës dhe produkteve, Kosova ka qenë lidere me çmimet më të ulëta, kurse tani është lidere me çmimet më të larta në Ballkan, duke tejkaluar Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjën, Serbinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë.
“Qeveria e Kosovës nuk ka strategji zhvillimore kombëtare dhe as strategji energjetike kombëtare për të tejkaluar krizën. Janë nënçmuar paralajmërimet e hershme të Departamentit Amerikan se Kosova do të ballafaqohet me krizën energjetike, nuk është blerë energjia atëherë kur ka pasur mundësi të blihet më lirë, dhe ne e kemi blerë më së shtrenjti në ‘pik’ dhe e ka detyruar Qeverinë e Kosovës të marrë hapa në kurriz të qytetarëve për të shtrenjtuar”.
“Tani Kosova është lidere me çmime të energjisë. Tash jemi të barabartë me shtetin kroat dhe kemi hyrë në Evropë”, thotë Shahini, duke ironizuar me deklaratat e disa qeveritarëve se Kosova do ta arrijë së shpejti Kroacinë me zhvillim ekonomik.
Këto çmime të larta e kanë vështirësuar jetën e qytetarëve, thekson kreu i AKB-së.
Shahini thotë se ky vit krahasuar me vitin e kaluar karakterizohet me tkurrje në aspektin ekonomik. Si shpëtim për ekonominë vendëse e sheh rritjen e borxhit publik dhe lejimin e tërheqjes së trustit pensional.
“Ky vit do të karakterizohet me tkurrje karshi vitit të kaluar, sepse vitin e kaluar kemi pasur një rekord të rritjes pas mbylljes. Qeveria është gjeneratori kryesor edhe i shpëtimit edhe i krizës. I shpëtimit do të ishte që shteti jonë të futet edhe më shumë në borxh publik, të japë pak një pjesë të kontributit nga Trusti Pensional për qytetarët e vet, t’i subvencionojë pagat dhe shtrenjtimin e energjisë elektrike siç ka bërë Gjermania e cila ka shtrenjtuar rrymën rreth 22.8 për qind, por 44 për qind e subvencionon, dhe në këtë formë do t’i dalë qytetarit përballë dhe do t’i realizojë premtimet që ka bërë më herët gjatë fushatës zgjedhore”, tha Shahini.