Qeveria Kurti ka paralajmëruar se pavarësisht ndalimit ose jo të fushatës së çnjohjeve nga Serbia, më 1 prill do të vendoset masa e reciprocitetit. Kjo masë pritet të vendoset pak ditë pas vendimit për heqjen e tarifës prej 100 për qind për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, e cila, sipas Qeverisë së Kosovës, është marrë mbi bazën e “vullnetit të mirë”.
Gazeta ka kërkuar sqarime se cilat janë masat e reciprocitetit që pritet të merren nga 1 prilli, por nuk është dhënë detaje rreth kësaj, raporton koha.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se masat e reciprocitetit të cilat deri më 1 prill do të vendosen nëpërmjet një vendimit të ri nga Qeveria janë në kuadër të parimit të reciprocitetit, i cili është parim thelbësor mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet në mes shteteve.
“Reciprociteti parashihet të vendoset, pavarësisht zotimeve të Serbisë për ndalimin apo jo të fushatës së çnjohjeve. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e sheh reciprocitetin si masë kundërvënëse ose hakmarrëse, por si parim i marrëdhënieve bilaterale të shëndosha dhe konstruktive”, ka thënë Kryeziu.
Kjo masë e ndryshon planin që kishte shpalosur kryeministri Albin Kurti më 27 shkurt, në të cilin kishte propozuar heqje graduale dhe të kushtëzuar të tarifës ndaj Serbisë. Ai e kishte ftuar Serbinë që si përgjigje ndaj vendimit të palës kosovare për heqjen e tarifës për lëndën e parë të zotohet për ndërprerje të fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisë me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.