Qeveria miraton draf-statutin e Trepçës, kërkohet qasje profesionale nga Kuvendi

Prishtinë | 25 Jan 2019 | 11:40 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Draft-statuti i Trepçës është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës. Versioni i ri i Projekt-statutit dërgohet në Kuvend, raporton Ekonomia Online .

Statuti përcakton themeluesit e shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin dhe të gjitha çështjet organizative që lidhen me kompaninë.

Emërtimi i shoqërisë aksionare është “Trepça” Sh.A dhe selia e saj është në Parkun Industrial të Mitrovicës.

Miratimi Statusit të Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A., do të mundësojë zbatimin e Ligjit për Trepçën dhe versioni i miratuar është në pajtueshmëri të plotë nga të gjithë akterët që ndikohen nga kjo kompani.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka ka thënë se ky draft i gëzon përkrahjen e të gjitha palëve dhe si i tillë i plotëson kriteret.

“Ky dokument mundëson zbatimin e ligjit për Trepçën, ky statut propozohet nga bordi i Trepçës e pastaj aprovohet në Kuvend. Versioni aktual gëzon mbështetje të gjerë. Asete sa i përket Trepçës janë të vendosura nga bordi”.

“Do të bëhet edhe një vlerësim pas regjistrimit të Trepçës ku do të paraqitet vlera e aseteve. Kemi ardhur në përfundim që në komision do ta aprovojnë nëse të gjitha palët pajtohen. Statuti i plotëson kriteret”.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se dokumentit i duhet përmirësim dhe qasje profesionale nga Kuvendi.

“E kam përshtypjen që punën që e keni bërë është e mirë, por Kuvendit i duhet edhe 2 javë për me pasë një dokument të mirëfilltë”, tha ai.

Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza ka thënë se dokumenti i statutit të prezantuar do të gjejë vështirësi të zbatimit në praktik, raporton EO.

“Duke vlerësuar punën që është bërë në këtë dokument të rëndësishëm dhe duke vlerësuar punën e të gjitha palëve, ky dokument është dashtë me pas standardin e një dokumenti çfarë duhet të jetë statuti i një ndërmarrje”.

“Do të duhej të merreshin modele të statuteve ndërkombëtare të korporatave. Gjatë zbatimit të tij në praktikë me përgjegjësi e them që do të ketë vështirësi. Unë besoj që gjatë trajtimit të tij në Kuvend do të trajtohet me kujdes”.

Ditë më parë Komisioni për Zhvillim Ekonomik e pati kthyer draft-statutin përsëri në Qeveri për shkak të mos harmonizimit të amendamenteve mes sindikatës së Trepçës, bordit dhe Qeverisë.

Të ngjashme