Qeveria miraton Planin Strategjik të Arsimit 2017-2021                                 

Prishtinë | 07 Dhj 2016 | 14:47 | Nga

Qeveria e Kosovës ka aprovuar edhe Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, e ka vlerësuar si shumë të arsyeshme që në mbledhje të ishte vënë për miratim Plani Strategjik i Zhvillimit të Arsimit, një ditë pas vlerësimit ndërkombëtar PISA, i cili ka nxjerrë rezultate jo të kënaqshme për sistemin arsimor.

Më tej, ka bërë arsyetimin e Planit Strategjik të Zhvillimit të Arsimit për periudhën 2017-2021.

Ky Plan Strategjik është dokumenti bazë për zhvillimin e sektorit të arsimit në Kosovë për periudhën 2017-2021. Qëllimi i këtij plani është të përcaktojë kahet e zhvillimit të sistemit të arsimit për periudhën 2017-2021, në mënyrë që arsimi të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Si i tillë, Plani Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë, është në përputhje të plotë me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe përfshinë:

Masat që kanë të bëjnë me rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në edukimin parashkollor; Rritjen e kualifikimit dhe përgatitjen e mësimdhënësve, përmirësimin e relevancës dhe ofrimit të shkollimit për kërkesat e tregut të punës si dhe Formimit të mekanizmave të llogaridhënies përmes vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, inspektimit të teksteve të jashtme.

Janë tri shtyllat kryesore të këtij plani: Gjithë-përfshirja; Cilësia dhe Llogaridhënia.

“Tani po shihet se vlerësimet tona në fillim të mandatit që niveli i cilësisë në arsim nuk është në nivel të dëshiruar, kanë qenë të sakta dhe ne ende pa dalë ky vlerësim, që ka ndodhur në muajin prill 2015, kemi miratuar shtatë shtyllat preventive, të cilat do të ndërtojnë një politikë kombëtare për përmirësimin e sistemit arsimor”, tha ai.

“Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Sigurimin e Cilësisë, kurse në ndërkohë është përfunduar procesi i rishikimit të pilotimit të kurrikulave dhe kurrikula do të jetë në nivel kombëtar. Po ashtu ka përfunduar procesi i rishikimit të teksteve shkollore. Është aprovuar Korniza Kombëtare e Zhvillimit Profesional të Trajnimit dhe Ndërtimit të Karrierës së Mësimdhënësve. Është miratuar legjislacioni i nevojshëm dhe sot po e diskutojmë një dokument shumë të rëndësishëm, të cilin unë do ta prezantoj”, tha Bajrami.

“Mendoj se vlerësimi i PISA-s është momenti i fundit i një vetëdijesimi të përgjithshëm shtetëror, shoqëror dhe kombëtar për trajtimin e arsimit si prioritet kryesor kombëtar, sepse duke e trajtuar arsimin si prioritet numër një në nivel kombëtar, ne do të sigurojmë zhvillim ekonomik, do të mundësojmë punësim, mirëqenie dhe do të mundësojmë shërbime të mira publike, për çfarë edhe jemi të obliguar. Andaj, me këtë rast, bëj apel të përgjithshëm shoqëror, për të gjithë faktorët relevantë që edukimi dhe arsimi të trajtohen si prioritet kryesor kombëtar edhe në politikat e buxhetit, edhe në ato investive, sepse vlerësoj se në periudhën pas pavarësisë, ndërtimi i një sistemi cilësor të edukimit, është një nga prioritetet kombëtare që duhet të fokusojë të gjitha institucionet”, tha ministri Bajrami.

Në fushën e gjithpërfshirjes janë arritur sukseset e pamohueshme. Kosova mund të krahasohet me secilin vend në rajon, madje edhe me shumë vende të zhvilluara evropiane në aspektin e fëmijëve dhe të rinjve në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Megjithatë, gjatë pesë viteve të ardhshme, ky plan parasheh masat për të përmirësuar përfshirjen e fëmijëve në edukimin parashkollor, pasi që kjo periudhë jetësore është shumë e rëndësishme për zhvillimin e personalitetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme