Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin për vazhdimin e punës për studimin dhe ngritjen e minierës së re.
Gjatë diskutimit për këtë çështje, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se janë në proces të krijimit të një miniere të re, por ekzistuesja vazhdon, raporton Ekonomia Online.
“Na jemi në proces të krijimit të një miniere të re, por ekzistuesja vazhdon. Është në rrezik kjo në një përcaktim për një drejtim, por megjithatë po nisemi. Unë ju propozoj që të lëvizim me vendime”.
Lluka tha se grupi punues për këtë çështje ka rekomanduar që të vazhdohen hulumtime shtesë për në fushën e jugut, raporton EO.
“Kanë rekomanduar që të vazhdohet me prodhimin e qymyrit në fushat aktuale. Grupi punues teknik ka propozuar që në fushën jugore të realizohen hulumtime shtesë”.
“Të gjithë, edhe pse ka pasë brenda grupit që nuk janë pajtu me raportin final, por me vota me shumicë prej tyre është përkrahë. Për mos me rreziku projektin e Kosovës së re, ne duhet të vendosim për një drejtim”.
“Duke i parë të gjitha mundësitë, unë besoj që edhe grupi teknik janë ardhë te ky rekomandim”.
Në fillimin e mbledhjes së qeverisë, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka kritikuar materialin e dërguar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik lidhur me ngritjen e Minierës së Re për KEK-un.
“Materiali goxha i shkurtë, kam përshtypje që sa më të mëdhaja po janë temat, aq më të vogla informatat. Me një faqe tekst s’ma merr menja që mundemi me marr një vendim të tillë”.
Hoxhaj më tej tha se raporti i dorëzuar nga kryesuesi i grupit punues është shumë konfuz.