Qeveria ndan 1,6 milion euro për veteranët për muajin shtator

Prishtinë | 05 Tet 2016 | 14:58 | Nga

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, aprovoi vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për skemën e pensioneve të veteranëve. Kjo shumë e mjeteve nevojitet për mbulimin e pensioneve për muajin shtator 2016.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se në buxhetin e aprovuar për vitin 2016 për pagesat e pensioneve të veteranëve kanë qenë të ndara 25 milionë euro, kurse me procesin e rishikimit të buxhetit në këtë skemë janë ndarë edhe 7 milionë shtesë, që në total buxheti për ketë skemë ka arritur 32 milionë euro.

“Në periudhën janar-gusht, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka paguar për pensione të veteranëve mjete në shumë prej 28 milionë e 932 mijë e 253 euro, ndërkohë që kësti i pagesës së pensioneve për muajin shtator është 4 milionë e 749 mijë e 377 euro. Sipas këtyre shifrave del se për të kryer pagesën e pensioneve për muajin shtator për 28 mijë e 268 veteranë nevojiten mjete shtesë në shumë prej 1 milion e 685 mijë euro. Me qëllim të ekzekutimit të pagesave të pensioneve për veteranë për muajin shtator, kërkojmë që të aprovohet vendimi për ndarjen e mjeteve në shumë prej 1 milion e 685 mijë euro nga rezerva shtetërore dhe të alokohen në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kjo ka të bëjë vetëm për ndarjen e mjeteve për muajin shtator, ndërsa për mjetet rreth tre mujorit të fundit të këtij viti do të jemi në kontakt për të gjetur një zgjidhje afatgjatë”, tha ministri Arban Abrashi.

Kryeministri Isa Mustafa tha se Qeveria tani ka bërë përpjekje që nga rezerva buxhetore e cila është shumë e kufizuar të ndajë mbi 1 milion e 600 mijë, në mënyrë që të sigurohet kjo pagesë.

“Unë ju ftoj që ta aprovojmë, por po ashtu kemi marrë zotimin në bisedë me përfaqësuesit e FMN-së që ne të gjejmë një zgjidhje e cila do të jetë e përballueshme për ne, por edhe e pajtueshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar në të ardhmen, në mënyrë që të kapërcejmë këtë problem i cili mund të na qet prej programit që e kemi me FMN-në dhe të rrezikojmë të gjitha projektet tjera të cilat ne i kemi fituar në bazë të këtij programi. Ne do të bisedojmë së bashku me zëvendëskryeministrin edhe me përfaqësuesit e veteranëve edhe me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, do të mundohemi që së bashku me ta të gjejmë një zgjidhje. Kemi biseduar edhe me kryetarin e Kuvendit dhe do të koordinohemi me të edhe si kryetar i Kuvendit edhe si kryetar i Partisë Demokratike, sepse jemi partner të koalicionit, në mënyrë që bashkërisht të mundohemi ta gjejmë një zgjidhje e cila na nxjerrë nga kjo situatë. Ndërkaq, mbetet më vonë që të shihet se si të racionalizohen listat dhe si të jenë përfituesit, sepse ne jemi deklaruar edhe në Qeveri dhe unë personalisht, që asnjë prej atyre që janë meritor si veteranë nuk do ta dëmtojmë në këtë rast, por duhet të krijojmë kushte që këto mjete t’i marrin ata që i meritojnë dhe veteranët e vërtet të luftës. Ju kisha lutur ta përkrahim këtë vendim dhe pastaj, ndërkohë, ne do të mundohemi të gjejmë zgjidhje”, tha kryeministri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme