Qeveria pranon që t’i regjistrohet toka Manastirit të Deçanit, pret nga Kadastri atje të veprojë

Prishtinë | 06 Mar 2024 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Teksa janë shtuar thirrjet ndërkombëtare për Kosovën që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, në mënyrë që vendi të ec tutje në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës, në Qeverinë e Kosovës janë bindur se autoritetet komunale, respektivisht Agjencia e Kadastrit në Deçan tani duhet t’ia regjistrojnë 20 hektarë tokë Kishës.

Zyrtarë të qeverisë që janë të ngarkuar me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës janë të gatshëm që të bëjnë thirrje publike për këtë çështje.

Çuarja më tej e çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës varet nga hapat që do të bëjë Kosova deri më 22 prill. Pikërisht në këtë afat Asambleja e Parlamentare e Këshillit të Evropës do ta thotë fjalën e saj për dosjen e Kosovës. Vendimi në Asamblenë e Përgjithshme që është i kushtëzuar me atë se çfarë do të bëjë Kosova me tokën e Manastirit, do të përcaktojë se çfarë do të bëjë Komiteti i Ministrave më çështjen e anëtarësimit të Kosovës.

Gazeta Express ka kontaktuar me Agron Musliajn Drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Deçanit i cili ka thënë se për këto çështje mund të flas vetëm Kryetari i Komunës, që aktualisht është Bashkim Ramosaj.

Të pyetur nëse do të ketë rol subjekti që udhëheq me Komunën e Deçanit, në Qeveri thonë se “Ramush Haradinaj e ka thënë publikisht para 2 vjetësh se kjo çështje duhet të përmbyllet”.

Aktualisht me Komunën e Deçanit udhëheq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Gazeta Express ka provuar të kontaktojë me Kryetarin e Deçanit Bashkim Ramosajn por kjo s’ka qenë e mundur.

Siç merret vesh tani bëhet fjalë që Manastirit të Deçanit t’i regjistrohen 20 hektarë e jo edhe 4 hektarë tjerë që ndodhen në qendër të qytetit perëndimor të rajonit të Dukagjinit.

Çështja e Manastirit të Deçanit është trajtuar dje edhe në një raport të European Stability Initiative e cila i ka kërkuar Kosovës që të zbatojë aktgjykimet e gjykatave me “disa klikime kompjuterike”.

“Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë, me të gjitha instrumentet dhe autoritetin që disponon, që aktgjykimet e vitit 2012 dhe 2016 të zbatohen menjëherë në mënyrë që Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) të fut në regjistrat e saj, me disa klikime kompjuterike, dhe t’ia jep manastirit pronësinë e 20 parcelave të tokës në përputhje me marrëveshjen me UNMIK-un”

“ AKK, si çdo administratë publike, është e obliguar ligjërisht që në çdo rast t’i zbatojë vendimet gjyqësore pa vonesë. Është një agjenci ekzekutive nën kontrollin e qeverisë. Moszbatimi i vendimeve përfundimtare dhe detyruese të gjykatës është i papranueshëm. Kjo nuk duhet të varet kurrë nga ajo që bëjnë ose nuk bëjnë aktorët e tjerë. E megjithatë, ka një arsye shtesë që qeveria e Kosovës të veprojë sot për këtë, dhe të zgjidhë diçka që të gjitha qeveritë e mëparshme nuk kanë arritur ta zgjidhin. Kjo çështje së fundmi është bërë kusht “sine qua non” që Kosova të avancojë në rrugën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, thuhet tutje në raportin e ESI.

Ambasadori i Gjermanisë Jorn Rohde i ka bërë dje jehonë raportit të ESI duke thënë se edhe kjo iniciativë i është bashkuar korit të thirrjeve për ta implementuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që të avancohet suksesshëm aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Të ngjashme