Qeveria s’heq taksën as për kompanitë shqiptare të Luginës

Prishtinë | 24 Nën 2018 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të rritur taksën në 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, do të ketë efekt negativ edhe për ekonominë e Luginës së Preshevës.

Kështu ka thënë në një përgjigje për Gazetën Express, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Vendimin për taksën Arifi e quan si një kërkesë të kamotshme të Kosovës për reciprocitet me Serbinë, por thotë se këto zhvillime politike kanë ndikim negativ të drejtpërdrejtë në zhvillimet në Luginë.

Ai ka kërkuar themelimin e një Fondi Kombëtar të Solidaritetit” për Luginën e Preshevës për t’iu ndihmuar shqiptarëve të asaj pjese për çfarëdo vendimi që mund të ketë efekt negativ për ta ndërmjet dy shteteve.

“Përkeqësimi i situatës politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë ka pasoja direkte edhe në Luginën e Preshevës”, ka thënë Arifi.

Ai thotë se sipas informacioneve që ka marrë në media, Qeveria e Kosovës në vendimin që ka marrë, ka vendosur një aneks të veçantë në të cilin përfshihen kompanitë shqiptare nga Lugina e Preshevës të cilat lirohen nga taksa.

“Sipas njoftimeve në media, kompanitë kryesore eksportuese në Republikën e Kosovës me një aneks të posaçëm janë larguar nga kjo taksë, ndërkohë jemi duke kontaktuar kompanitë më të vogla lokale për të evidentuar problemet e tyre lidhur me taksën në fjalë”, ka shtuar Arifi.

Por një gjë të tillë e ka mohuar këshilltari për ekonomi i të parit të Qeverisë, Haki Shatri.

Përveç që nuk ka një aneks që përjashton kompanitë shqiptare të Luginës së Preshevës nga taksa, këshilltari i kryeministrit lë të kuptohet se një gjë e tillë nuk do të ndodh as në të ardhmen, pasi një veprim i tillë do të kishte efekt negativ mbi vendimin që është marrë.

“Për të Luginës së Preshevës nuk ka. Ende nuk kemi marrë ndonjë qëndrim. Është më delikate kjo. Me hy me bo përjashtime, bukur fort mundet me u lëndu vendimi. Nuk kemi marrë ndonjë qëndrim për këtë çështje”, ka thënë Haki Shatri në një përgjigje për Gazetën Express.

Ndërkohë as i përket listës së kompanive të huaja të cilat operojnë në Serbi e që janë përjashtuar nga taksa, Shatri thotë se ajo listë mund të plotësohet edhe më tej në rast se është harruar ndonjë kompani.

Vendimi i Qeverisë së Haradinajt për taks prej 100 për qind për produktet serbe ka nxitur reagime të ashpra të krerëve të shtetit serb të cilët kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të kësaj takse, pasi sipas tyre do të ketë ndikim negativ në ekonominë e Serbisë.

Edhe nga Bashkimi Evropian është kërkuar që të zhbëhet ky vendim, pasi sipas tyre është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s.

Megjithatë nga CEFTA nuk është marrë asnjë vendim i cili konstaton se një vendim i tillë përbën shkelje të marrëveshjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme