Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme është marrë vendim për ndarjen e mjeteve nga kursimet buxhetore prej 24.4 milionë euro për infrastrukturë rrugore (Autostradën për Shkup), për ndërtimin e shkollave, për trajtim të pacientëve jashtë vendit, për ngrohje dhe për ndërmarrje publike të cilat kanë vështirësi financiare.
Kryeministri Isa Mustafa tha se nga viti i ardhshëm do të marrin masa si qeveri për “ato ndërmarrje që nuk po kanë performancë dhe menaxhmentet e tyre së bashku me bordet po marrin vendime për bonuset dhe afarojnë me humbje, e në anën tjetër Qeveria po u ndan mjete për Ndërmarrjet Publike për mbijetesë”.
Në mbledhjen e Qeverisë, zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, ngriti çështjen e ndërmarrjes “Infrakos” dhe “Trainkos”, i cili tha se shuma prej 100 mijë euro për “Infrakosin” është e vogël.
Ndërsa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se disa ndërmarrje publike janë duke afaruar me humbje.
Ajo theksoi se krahas mbështetjes, si qeveri duhet të ndërmarrin masa.
“Ne kemi rastin e Telekomit të Kosovës e cila nuk ka paguar dividentën për Qeverinë dhe kemi informacione se është duke afaruar me humbje. Për këtë duhet të ndërmerren masa”, tha Bajrami.