Qeveria të marrë në “dorë” kompanitë e ujit në Prizren, raportet e auditimit skandaloze

Prishtinë | 09 Kor 2019 | 12:51 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit të kompanisë rajonale të ujitjes “Drini i Bardhë” dhe KRU “Hidroregjioni Jugor”, Prizren për vitin financiar të përfunduar më 31 dhjetor 2018, raporton Ekonomia Online.

Sipas deputetëve të komisionit duke u bazuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, raporti për këto ndërmarrje janë skandaloze.

“Për shkak të mungesës së dëshmive të mjaftueshme dhe të përshtatshme të auditimit, ne nuk ishim në gjendje të japim opinion për PFV-të e vitit 2018”, thuhet në raportin e Auditimit për kompaninë “Drini i Bardhë”.

Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë rajonale të ujitjes “Drini i Bardhë”, Bedri Haxhijaj, tha se pajtohet për të gjeturat e audimit dhe gabimet që janë bërë në këtë kompani.

“Jam i vetëdijshëm që nuk është i mirë raporti, jemi mundu me stafin me dhënë maksimumin me i bë të gjeturat e auditorit. Me stafin që kemi është i pamundur eliminimi i këtyre sepse janë probleme të trashëguara, zotohem se do bashkëpunoj shumë me bordin”.

Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, tha se raporti i Auditimit për këtë kompani është skandaloz.

“Auditori thotë se në bazë të pasqyrave financiare nuk dimë asgjë për kompaninë dhe nuk mund të konstatojnë asgjë, këtu nuk ka të gjetura është raport skandaloz dhe tregon se në kompani nuk ka kurrfarë menaxhimi”.

Hoti tha se me këto të gjetura nuk ka se çfarë të diskutohet më tutje më këto kompani.

“Në bazë të dëshmive nuk mund të konstatohet asgjë, asnjë shifër nuk është kredibile dhe nuk e di se si komision çfarë mund të diskutojmë. Kërkoj ta mbyllim këtë diskutim pa asnjë arsyetim tjetër shtesë sepse nuk ka çfarë të diskutohet për këtë ndërmarrje”.

“Në bazë të raport të Auditimit, ti si i punësuar nga aksionari tregon raporti se aksionari nuk din se çfarë po bëhet atje dhe nuk ka asnjë informata se si po menaxhohen asetet e tij dhe nuk ka çfarë të diskutohet këtu”.

Pothuajse të njëjtin raport edhe për “Hidroregjioni Jugor”, Prizren kishte Auditori i Përgjithshëm.

“Opinion i kundërt, Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2018, nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale”, shkruhet në opinionin e Auditorit të përgjithshëm për këtë kompani.

Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, tha se as me këtë kompani nuk ka çfarë të diskutohet pasi që Auditori e ka opinionin e kundërt për këtë kompani cila nuk i ka paraqitur të sakta të dhënat që janë ofruar nga kompania “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

“Nuk kemi çfarë të bisedojmë as me ju. Nuk ka asnjë evidencë të besueshme as për të hyrat dhe shpenzimet, shtoi ai.

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, tha se ky opinion është më i keqi i mundshëm, raporton Ekonomia Online.

“Opinioni i kundërt është më i keqi nuk ka më keq, ajo çfarë na intereson neve është perspektiva e juaj, nuk ia vlen më vlerësime kaq negative të japim argumente apo kundër argumente”, tha ai.

Kryeshefi i “Hidroregjioni Jugor” Prizren, Besim Baraliu, tha se gjendja nuk është edhe aq keq siç është paraqitur dhe fajin e ka edhe MZhE.

“Nuk është gjendja siç është paraqitur në opinion, gjendja është më e mirë”, tha ai.

Kryetari i Bordit i “Hidroregjioni Jugor”, Prizren, Rexhep Mangjuka, tha se këto të gjetura do të mundësojnë këtë kompani të reflektoj dhe të përmirësohet.

“Me të gjeruat e Auditorit do kemi progres për hera tjera që të mos përsëriten gjëra të tilla, opinioni i auditorit si opinion i kundër nuk është i mirë për ne. Gjitha të gjeturat e Auditimit do mundohemi të i përmirësojmë në të ardhmen, zotohemi se në periudhën e ardhshme do jemi më serioz dhe do mundohemi të mos bëjmë gabimë të tilla”.

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, tha se prokuroria duhet të merret me këto dy kompani sepse janë duke abuzuar, raporton EO.

“Më i bëjmë thirrje prokurorisë me u marrë me këto tema, sepse këto kompani vazhdojnë me abuzuar, mund ta nxjerrim rekomandim ku i bëjmë thirrje emergjente Qeverisë me i trajtuar këto kompani”.

Kurse Hoti i propozoi aksionarit të këtyre kompanive, Qeverisë së Kosovës, që të merren urgjentisht nën administrim të drejtpërdrejtë ato.

“Bazuar në të gjeturat e auditorit i rekomandojmë aksionarit, Qeverisë së Kosovës, që këto dy ndërmarrje në mënyrë urgjente të merren menjëherë nën administrim të drejtpërdrejt”, tha Hoti.

Komisioni vendosi që Rekomandimi i Avdullah Hotit, të shkoj në Qeveri në mënyrë që ajo të marrë në dorë këto kompani.

Të ngjashme