Numri i infermierëve që po largohen nga Kosova ka rënë dukshëm këtë vit, ndonëse ky numër pritet të rritet nga viti i ardhshëm. Në Odën e Infermierëve të Kosovës, 275 infermierë kanë kërkuar licenca të paplastifikuara, ndërsa 108 kanë kërkuar Kodin Etik që shërben për punësim në vendet perëndimore.
Largim nga vendi po kërkojnë edhe përmes kompanive që merren me rekrutimin e tyre.
Kryetarja e OIK-ut, Nexhmije Gori, thotë për Ekonomia Online se numri i aplikimeve krahasuar me vitet e kaluara është në rënie, veçse është rreziku që ky numër të rritet nga viti i ardhshëm.
“Siç jeni të njoftuar që në Odën e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësor çdo ditë tërhiqen licenca të paplastifikuara dhe vërtetime të Kodit Etik. Nga janari deri në tetor, kemi tërheqje të vërtetimeve të Kodit Etik gjithsej 108, kurse licenca të paplastifikuara i kemi 275”, thotë Gori.
Gori thotë se infermierët kanë zgjedhur edhe një mënyrë tjetër për largim nga vendi. Krahas kompanive, infermierët kontaktin me institucionet shëndetësore atje e kanë të drejtpërdrejt.
“Realisht, numri është rënie duke e konsideruar se tashmë me liberalizimin e vizave, shumica e infermierëve kontaktin me institucionet shëndetësore atje, e kanë të drejtpërdrejt. Tanimë nuk qarkullojnë nëpër agjencione për të rregulluar dokumentacione apo gjëra të tilla që ju nevojiten, kështu që unë pres që vitin 2025, numri ka me qenë dukshëm në rritje sepse infermierët tash janë duke u përgatitur. Ne e dimë që tash ju duhet edhe gjuha edhe kontrata, sigurisht që viti i ardhshëm ka me pas një rritje të dukshme. Sigurisht që po sepse shumica e infermierëve tashmë vetëm në procedura sipas informatave që i posedojmë ne, dhe vitin 2025 ata i përfundojnë këto procedura dhe fillojnë ta zhvillojnë profesionin e tyre atje”, thotë Gori.
Kryetarja e OIK-ut thotë se edhe Ligji i Pagave ka shpërfaqur edhe më tej pakënaqësinë e infermierëve. Andaj, shpreson që kjo të reflektojë nga institucionet përgjegjëse.
“Me Ligjin e Pagave, unë kam qenë shumë optimiste shumë optimiste, mirëpo ligji aktual, infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor nuk i gradoi në vendin e merituar, kështu që unë pres që të ketë përmirësime dhe sigurisht që me ngritjen e pagave është një motiv sepse ata po largohen nga vendi për një pagë e një jetë më të mirë”, u shpreh Gori.
Infermierët po largohen nga Kosova edhe përmes kompanive që merren me rekrutimin e tyre. Një e tillë është edhe “Comsense Kosova”.
Albulena Shala, drejtoreshë e “Comsense Kosova”, thotë për Ekonomia Online se vetëm këtë vit, rreth 45 infermierë kanë arritur të shkojnë në Gjermani, ndërsa edhe 7 të tjerë janë në pritje.
“Nga janari e deri më tani, 45 persona që kanë nga ana e Comsenses, kjo varet shumë prej qendrave dhe ambasadave se sa shpejt i lëshojnë vizat, kurse për këtë pjesën e mbetur kemi ende njerëz që ende janë në proces, por varet tash se kur ju përfundojnë. Për këtë muaj që po hyjmë (Nëntor), pritet dikund 7 infermierë me marr vizën e për dhjetor mbetet e hapur se varet nga ambasadës”, thotë Shala.
Ndonëse numri i migrimit të infermierëve nga Kosova është i madh, Shala thotë se edhe kërkesa nga Gjermania është e madhe. Thotë se kërkesë e madhe është sidomos në shtëpi të moshuarve.
“Ka kapacitete shumë për arsye se në Kosovë që sistemi i shkollimit sipas meje është pak jo i rregulluar mirë, sepse kemi shumë infermierë që diplomojnë në vit, mirëpo vendet të punës për ta ka shumë pak. Shumica e atyre infermierëve duhet të me gjet vetën dikund me ndonjë vend të punës tjetër që s’ka të bëjë me profilin e vetë, e në Gjermani ka shumë nevojë për arsye se populli gjerman është plakur edhe ata të moshuar kanë nevojë për përkujdesje e sidomos në Shtëpitë e të Moshuarve kanë nevojë atje, pra vende pune ka mjaftueshëm, por pak është edhe kjo pjesa e procesit se duhet pasur parasysh në momentin që rriten aplikimet, futen edhe vonesat”.