Ka përfunduar çështja civile në rastin ku ish-specialisti në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK, Eshref Osmani, ka kërkuar që atij t’i kompensohet shuma prej rreth katërmijë euro, në emër të tri pagave përcjellëse dhe tri pagave jubilare.
Sipas padisë Osmani, po kërkon nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) shpërblimin e pagave jubilare dhe pagave përcjellëse, të cilat pretendon se i takojnë me rastin e pensionimit, në bazë të Kontratës Kolektive Sektoriale të Kosovës.
Fillimisht, në seancën e së martës, paditësi Osmani, ka bërë precizimin e kërkesëpadisë, me anë të së cilës ka kërkuar që të detyrohet QKUK-ja, që atij t’ia njohë të drejtën e tri pagave përcjellëse, në shumën prej 1977 euro, dhe tri pagave për shpërblim jubilar në shumë prej 1977 euro, gjithsej në vlerë prej 3954 euro, pa kamatë ligjore, si dhe shpenzimet e procedurës.
Po ashtu, ai tha se llogaritjen e kësaj shume e ka bazuar në listën e pagave nga buxheti i Republikës së Kosovës në tre muajt e fundit para pensionimit.
E në anën tjetër, përfaqësuesja e të paditurës, Teuta Islami, e ka kundërshtuar padinë e paditësit për faktin që siç tha ajo me Ligjin e Punës, nuk është paraparë kompensimi i këtyre pagave.
Ajo i ka propozuar gjykatës që ta refuzojë në tërësi si të pabazuar padinë e paditësit, pasi që siç tha ajo, padia është dashur t’i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjithashtu, ajo tha se kjo ministri nuk kishte ndarë linjë buxhetore për kompensimin e këtyre pagave, duke shtuar se për këtë arsye nuk mund të përmbushet ky detyrim.
Ndërsa, në fjalën përfundimtare, paditësi Osmani, ka kërkuar nga gjykata që ta aprovojë në tërësi si të bazuar padinë dhe kërkesëpadinë e tij.
Ndërsa, përfaqësuesja e të paditurës, në fjalën e saj përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që ta refuzojë në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit.
Pas administrimit të provave dhe fjalës përfundimtare të palëve ndërgjyqëse, gjykatësi Hysni Ismaili, njoftoi se shqyrtimi kryesor në këtë çështje ka marr fund, ndërsa palët do të njoftohen me kohë lidhur me vendimin.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 13 mars 2019, paditësi Eshref Osmani, po kërkon nga e paditura Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), në Prishtinë, kompensimin e tri pagave përcjellëse dhe tri pagave jubilare të cilat pretendon se i takojnë pas pensionimit.
Sipas padisë, paditësi kishte punuar në Klinikën e Kirurgjis Vaskulare pranë QKUK-së, deri më 22 nëntor 2018, ku sipas ligjit i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të daljes në pension.
Tutje, në padi thuhet se përkundër kërkesës së paditësit për shpërblimin e pagave jubilare dhe përcjellëse, e paditura nuk e kishte përmbushur obligimin e saj, prandaj ai kishte ushtruar padi, me të cilën po kërkon nga gjykata qe ta obligojë QKUK-në për kompensimin e pagave pas pensionimit.