Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë ditën e sotme në Prishtinë, kanë përfshirë edhe Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, ku si pasojë e intensitetit të lartë të tyre, rrjeti i përpunimit të kanalizimit nuk ka arritur të përballojë sasinë e ujit.
QKUK thotë se ekipet teknike të saj janë në gjendje gatishmërie.
“Deri më tani uji ka depërtuar në bodrumin e Klinikës së Pulmologjisë, ku fatmirësisht nuk ka pasur aparatura mjekësore”, thuhet në njoftimin për medie.
Ekipet e QKUK-së, bashkë me ato të klinikave tjera janë në vendngjarje dhe deri më tani nuk është konstatuar nëse ka pasur dëme.
QKUK thotë se do të mbajë të informuar opinionin lidhur me pasojat eventuale të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut.