Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) në kryeqytet kanë mbetur pa punëtorë teknikë, pasi kontratat e tyre kanë skaduar në fillim të kësaj jave. Kësisoj, 120 punëtorët kanë mbetur pa punë, ndërsa përgjigje nuk kanë marrë nga Komuna, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se shkak i skadimit të kontratës, Qendrat e Mjekësisë Familjarë në Prishtinë kanë mbetur pa punëtorë teknikë. Fajtor për këtë e bën Komunën e Prishtinës.
“Kompanisë, e cila ka kryer shërbime në raport me Komunën e Prishtinës, i ka skaduar kontrata pardje, dhe dje kanë ardhë dhe kanë thënë janë pa kontrata pune dhe se për momentin nuk janë punëtorë të QMF-ve përderisa nuk nënshkruhet kontratë e re me ndonjë kompani. Disa drejtor të QMF-ve kanë bërë presion te këta punëtorë qe t’i kryejnë këto shërbime, pavarësisht se s’kanë ofruar kompensim për punën që do bëjnë dhe ne si Sindikatë i kemi thirrur punëtorët dhe u kemi propozuar edhe është marrë vendim që përderisa të mos ketë kontrata të punës në raport me kompaninë nuk do kryejmë shërbime dhe sot të gjitha QMF-të janë pa shërbime teknike të punëtorëve”, ka thënë Azemi për EO.
Azemi deklaroi se punën e tyre po e bëjnë stafi mjekësor duke thënë se pasi të vazhdohet kontrata punëtorët teknikë do kthehen prapë në vendet e tyre të punës.
“Kam informacione se janë përvjel edhe vet motrat medicionale po e kryejnë këtë punë që nganjëherë po them që është mire, le të din se sa është e rëndë kjo punë për ne , për këta punëtorë nuk ekziston asnjë rrezik që do jenë jashtë procesit të punës sepse me kontratën e nënshkruar tek ajo që është 405 euro këta janë pjesë e asaj dhe ne tani nuk kryejmë shërbime sepse herëve tjera kemi shërbyer pa kantata dhe na nuk jemi kompensuar dhe tani kemi marr vendim që përderisa të mos nënshkruhet kontrata mes një pronari kompanie dhe Komunës së Prishtinës ne nuk kryejmë shërbime dhe nënkuptohet se si është gjendja e Mjekësisë Familjare pa prezencën tonë”, u shpreh ai.
I pyetur se a ka kontakt me komunën e Prishtinës lidhur me këtë rast, Azemi deklaroi se në këtë rast nuk do ketë ndërhyrje nga sindikata pasi është çështje mes komunës dhe drejtorisë së QKMF-së.
“Ne nuk jemi ata që duam ta shpejtojmë ose ngadalësojmë sepse nuk është problem i joni. Komuna e Prishtinës ka problem me operatorin që nuk e ka nënshkruar kontratën dhe ne nuk duam të ndërhyjnë sepse i kanë rregullat e veta dhe duhet ta bartin përgjegjëse. Sindikata i ka garantuar ata punëtorët që së paku do jenë punëtorë në Qendrën e Mjekësisë Familjare, nëse atyre iu konvenon që t’i kenë QFM-të në gjendjen çfarë mund të jenë, ata le të vazhdojnë ne kemi më lehtë, normal që këta punëtorë kanë shqetësime e veta sepse ata duan ta dinë për çfarë po dalin në punë por tani për tani jemi në cilësinë e spektatorit dhe ata le ta kryejnë punën e tyre dhe ne tonën”, u shpreh Azemi.
Ekonomia Online ka kontaktuar me drejtorin e Shëndetësisë në Komunës e Prishtinës, Izet Sadiku, por që i njëjti ka kërkuar që për këtë çështje të kontaktohet drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Bujar Gashi. Ky i fundit, nuk iu është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.