Njohësi i çështjeve politike, Vigan Qorrolli, ka thënë se në rast se nuk arrihet deri më 6 prill të konstituohet Kuvendi dhe të fillojnë procedurat për zgjedhjet e presidentit të ri, atëherë zgjedhjet e 14 shkurtit nuk kanë asnjë vlerë kushtetuese, pasi sipas tij, brenda muajit maj apo qershor, duhet të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare.
Ai ka thënë se Kosova ndodhet para disa afateve strikte kushtetuese, të cilat legjislatura e re e Kuvendit duhet t’i zbatojë në mënyrë imperative.
“Zgjedhjet e përcaktuara më 14 shkurt 2021, do t’i përzgjedhin 120 anëtarët e legjislaturës së VIII’të të Kuvendit të Kosovës, të cilët me pas, sipas Kushtetutës, duhet ta votojnë Kryetarin e ri dhe Kryesinë e Kuvendit — akt i cili zyrtarisht e quan të konstituar legjislaturën e re. Kuvendi i ri mund të konstituohet në çdo kohe dhe për shkak të afateve të shkurtra do të duhej të mblidhej rreth mesit të muajit Mars, por jo me vonë se fundi i këtij muaji”, ka thënë ai.
Sipas tij, Qeveria po kështu mund të votohet në seancat e para të Kuvendit të ri.
Qorrolli ka thënë se zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës pritet të jetë kryefjala e stabilitetit politik të Kuvendit, meqë sipas tij, kjo gjë është e lidhur me afate strikte kushtetuese.
“Me 6 maj 2021 i skadon përkohshmëria në detyrë e U.D Presidentes, Vjosa Osmani, post të cilin e mban si derivativ i postit të Kryetares së Kuvendit. Në rast se Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit e zgjedh një kryetar/e të ri të tij, atëherë afati i Presidentit në detyre NUK zgjatet — në asnjë variant, me kryetar të ri ose jo, i cili sipas prerogatives kushtetuese e ushtron edhe detyrën e presidentit — por kjo detyrë zgjate maksimumi deri në ditën e 6 majit. Ky afat nuk zgjatet (edhe) nëse kemi një kryetar të ri të Kuvendit”, ka thënë ai.
Sipas Qorrollit, procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri sipas nenit 86 (2) të Kushtetutës “duhet të fillojnë jo me vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.
Ai tutje shton se procedura mund të fillojë kurdo pas konstituimit të Kuvendit të ri, por jo me vonë se data 6 prill 2021.
Nëse hyhet në javën e parë të prillit pa procedurat e zgjedhjes së Presidentit, atëherë aktivizohet neni 82.1 (3) i Kushtetutës, që e shpërndan Kuvendin, e që thotë: ‘nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet Presidenti i Republikës’. Me fjale te tjera, Kuvendi shpërndahet nëse nuk zgjidhet Presidenti në këtë mënyrë, ndërsa varianti i dytë poashtu e shpërndanë atë në rast se në tri raunde të votimit të Presidentit dështojnë — neni 86 (6) — ‘Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet mbahen brenda 45 ditësh”, ka shkruar Qorrolli.