Qunti nxit formimin e shpejtë të Qeverisë dhe procedimin e Demarkacionit

Prishtinë | 14 Kor 2017 | 15:36 | Nga

Ambasadat në Kosovë, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, nëpërmes një deklarate të përbashkët, nxisin partitë politike që sipas rezultateve të zgjedhjeve të formojnë qeverinë e ardhshme, duke pasur si prioritete sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ambasadat e shteteve të njohura si Quinti, po ashtu, rikujtojnë punët “urgjente” që e presin Kuvendin e ri: procedimin për ratifikim të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, si dhe të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë.

Pesëshja thotë se do të do të punojë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

“Kemi parë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne, po ashtu, rikujtojmë të gjeturat fillestare të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe presim që Kuvendi i ri të vërë si prioritet përgjigjen e vet ndaj rekomandimeve të këtij Misioni”, theksohet në deklaratë dërguar medieve.

“Ne po ashtu dëshirojmë të japim qëndrimin e shteteve tona lidhur me formimin e Qeverisë. Ashtu siç e kemi bërë të qartë vazhdimisht – qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një Qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ne do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, Agjendën Evropiane për Reformë, dhe perspektivën më të gjerë Evropiane të Kosovës”.

“Ne nxisim partitë që e formojnë qeverinë e ardhshme që të kenë si prioritete sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjitha pjesët e Kosovës, në mënyrë që të tërhiqen investimet aq shumë të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike”, thekson deklarata.

ShBA, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, po ashtu, nxit Qeverinë dhe Kuvendin që të procedojnë “sa më shpejt që është e mundshme, ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, dhe që të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme