Qytetarët kanë komentuar zhvillimet e fundit që kanë ndodhur brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kreu i saj Isa Mustafa dhe kryesia kanë ofruar dorëheqjen pas rezultatit të ulët në zgjedhjet e 14 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
Të anketuarit nga Ekonomia Online kanë qenë të mendimit se dorëheqja e Isa Mustafës është e vonuar por e duhura, kurse kanë propozuar që në krye të kësaj partie të dalin kuadro të reja.
Zeqir Lulaj ka thënë se Kujtim Shala do të ishte i përshtatshëm për të prirë me LDK-në.
“Ka aty rini, djem të rijnë, doktorë shkencash, ka mundësi çdo njëri me udhëheqë, veç me punuar drejtë. Kujtim Shala dhe të tjerë” është shprehur ai.
Ndërsa Gani Alushani ka thënë se Mustafa është dashur më herët të jap dorëheqje dhe në vend të tij të vije dikush që e do partinë e Rugovën.
“Duhet dikush prej të rinjve. Tri a katër herë e ka tradhtuar Vetëvendosjen. Ai e ka shkatërruar Lidhjen Demokratike me themel. Ai më herët është dashtë të shkojë. Është gjynah të shuhet një parti por atë mundet një i ri me ngritë. Një që e do shqiptarizmin, partinë e Rugovën” ka thënë ai.
Qytetari tjetër Bekim Pacolli nga Kodra e Trimave ka thënë se pret që Mustafa të zëvendësohen nga një që di.
“Ai që di më së miri. Nëse ka aty dikush që di. Kush di më mirë ai le të zëvendëson. Nuk i përcjellë më ka 10 vite. As nuk kam votuar se këta për popull asnjë nuk kanë menduar”
Kurse Ramadan Imeri është shprehur se i pari i LDK-se duhet të jetë dikush nga kuadrot e reja.
“Dorëheqja e tij nuk e di si erdhi. LDK-ja u ndëshkuar po nuk e di se si. Ajo është që sovrani vendos, diçka ka por nuk e di çka. Megjithatë duhet t’ua lëmë të rinjve apo jo. Ka kuadro të reja por nuk kam ndonjë emër” ka theksuar ai.
E një simpatizant i kësaj partie, Ibrahim Abazi pa cekur një emër se kush duhet të udhëheqë më LDK-në, ka thënë se për këtë pozitë ka shumë njerëz intelektual me projekte e programe.
“Nuk duhet të merremi në aspektin e organizimit grupor të merren individë. Dhe të flitet për individualizëm. Në procesin grupore që nga fillimi duhet të merren shprehje kualiteti i projekteve dhe programeve e jo individët dhe të krijohen liderizma. Këto bëhen vetëm në vende të vogla. Si simpatizant i LDK-së prej themelimit ka qenë situatat e tillë që nuk kemi mundur ndryshe sepse kemi qenë në okupim. Kjo nuk është humbje, por fitore e popullit i cili diti aq shumë më ndëshkuar saqë projektet dhe programet tona ishin ato që u ndëshkuan dhe jo individët. Nuk kam ndonjë propozim meqenëse ka njerëz, intelektual, me projekte e programe por që fatkeqësisht për momentin ata veç janë të dëshpëruar dhe shikojnë të përfitojnë. Nuk kisha me dhënë emër” ka thënë ai.
Për Hysen Krasniqin nëse Kosova shkon në zgjedhje sërish, LDK-ja nuk do të mund ta kalojë as pragun njësoj si partia Nisma.
“E kanë kallëzuar vetën këtë herë. Si ja bën dikujt, ta bën dikush. Ky e rrëzoi Kurtin, u mundua të fitojë vetë, humbi vetë. Po të bëhen zgjedhjet as në prag nuk mund të hyjë sikur Nisma. Jam i mllefosur” është shprehur ai.
Deri më tani i vetmi që ka paraqitur kandidaturën për kryetar të LDK-së, është Anton Quni.